E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palermo rikthehet në garë për Behramin

Romë, 21 gusht - Mesfushori Valon Behrami do të kthehet në Serie A para mbylljes së afatit kalimtar të verës, shkruajnë mediumet italiane të premten. Drejtuesit e West Ham Unitedit kanë pranuar se Behrami dëshiron të largohet nga kjo skuadër dhe për lirimin e tij kërkojnë gjashtë milionë euro.
Në garë për transferimin e reprezentuesit të Zvicrës së fundi është rikthyer skuadra e Palermos. Presidenti i kësaj skuadre, Maurizio Zamparini është i gatshëm të ofrojë gjashtë milionë euro për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit Behrami. Futbollisti mitrovicas gjatë afatit kalimtar të dimrit ishte pranë kalimit te Palermo, por në momentet e fundit transferimi i tij u stopua nga ish-trajneri i West Hamit, italiani Gianfranco Zola.
Zamparini ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve pritet të zyrtarizohet transferimi i dy mesfushorëve. Ai nuk ka përmendur emra, por mediumet italiane kanë shkruar se njëri prej tyre mund të jetë Behrami. 
"Po punojmë në arritjen e marrëveshjes dhe jemi pranë blerjes së dy mesfushorëve cilësorë. Njohim cilësitë e tyre dhe e dimë se do t'i përshtaten plotësisht lojës tonë", ka deklaruar Zamparini.
Për Behramin po interesohet edhe Roma. Sipas mediumeve në Itali, Palermo është në përparësi ndaj Romës për transferimin e Behramit, pasi ofron më shumë.
Behrami ka edhe tri vite kontratë me West Hamin, por ka thënë se dëshiron të largohet nga Londra për arsye familjare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›