E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria synon këndelljen në llogari të Besës

Prishtinë, 21 gusht - Futbollistët e Lirisë kërkojnë fitore kundër Besës së Pejës për t’u këndellur pas humbjes së thellë të pësuar nga Hysi në hapje të kampionatit. Liria pret Besën të shtunën (17.00) në Prizren në kuadër të javës së dytë të Raiffeisen Superligës. Para fillimit të kampionatit, ekipi prizrenas vlerësohej ndër pretendentët kryesorë për titull. Por, kjo skuadër pësoi goditje të rëndë që në xhiron e parë. U rrah 5:0 nga Hysi në Merdar.
"Duhet të fitojmë patjetër ndeshjen kundër Besës dhe t'u tregojmë ekipeve të tjera që Liria nuk është skuadër e dobët. Jemi të bindur se do të këndellemi dhe të arrijmë fitoren e parë në këtë stinor. Gjatë javës kemi punuar në përmirësimin e gabimeve të shfaqura në ndeshje me Hysin dhe kundër Besës do të jemi shumë më të fortë. Besa në të kaluarën ka shkaktuar probleme në Prizren, por këtë herë do të jetë ndryshe. Ne do të jemi ata që do t'i shkaktojmë probleme ekipit pejan", ka thënë të premten mbrojtësi i Lirisë, Roland Duraku.
Një javë para humbjes nga Hysi, Liria ishte mposhtur nga Trepça në ndeshjen e Superkupës (2:0).
Skuadra pejane, Besa, kampionatin e hapi me fitore të ngushtë (2:1) kundër Vëllaznimit. Trajneri i Besës, Valdet Shoshi, pret që seria pozitive të vazhdojë edhe në Prizren.
"Unë nuk e kam ditur deri vonë që ndeshja do të luhet të shtunën dhe ky ndërrim i orarit na ka destabilizuar. Pavarësisht kësaj ne do të mobilizohemi për ndeshjen që është shumë e rëndësishme. Do të udhëtojmë për t'i marrë tri pikë", ka thënë Shoshi.
Për shkak të një lëndimi, Besës do t'i mungojë mbrojtësi Bekim Bajraktari.
Të shtunën zhvillohet edhe ndeshja në mes Drenicës dhe KEK-ut. Drenica në hapje të kampionatit barazoi si mysafir me kampionen Trepçën, ndërsa KEK-u u mposht në shtëpi nga Prishtina.
Katër ndeshjet e tjera të javës së dytë në program janë të dielën.

Ndeshjet
e shtunë (17:00)

Liria - Besa
Drenica - KEK-u

e diel (17:00)

Trepça'89 - Trepça
Ballkani - Ferizaj
Prishtina - Hysi
Flamurtari  - Vëllaznimi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›