E Diel, 1 Nëntor 2026

Palestinezin e vranë për biznesin në Fushë-Krujë

Charles Michael Bouri, drejtori i fabrikës në Fushë-Krujë

Charles Bouri: Anwar-in e kam njohur më 1996.

Drejtori i fabrikës në homazhin e fundit: Anwar Rizik skishte konflikte personale.

Ambasadori palestinez dhe drejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë deklaruan dje se aktiviteti në biznes ka qenë shkaku i vetëm i vrasjes së 43-vjeçarit, i cili humbi jetën tri ditë më parë në Tiranë, pranë Ambasadës Amerikane. Në kishën ortodokse në Rrugën e Kavajës në Tiranë, u zhvillua dje mesha homazh për biznesmenin palestinez Anwar Rizik, i cili u ekzekutua dy ditë më parë me eksploziv në derën e banesës së tij. Bashkëshortja, Elda Ferracaku, vëllai Rami Rizik, që erdhi dje nga Katari, miq, fqinjë dhe kolegë të 43-vjeçarit ishin të pranishëm dje gjatë meshës që u zhvillua në kujtim të tij, rreth orës 17:00. Në pamundësi për ta prekur për herë të fundit në ballë të afërmin e mikun e tyre, pjesëmarrësit vendosën lule pranë dy fotografive të tij që ishin vendosur në kishë. Pamundësia për të pasur arkëmortin me trupin e pajetë të Anwar Rizik shkaktoi edhe më shumë dhimbje te të afërmit, por më shumë te bashkëshortja dhe vëllai i tij. Pas psalmeve që këndoi prifti ortodoks, drejtori i fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës, Charles Michael Bouri, mbajti fjalën e tij gjatë homazhit, duke iu drejtuar të afërmve të kolegut e mikut të tij Rizik. Ai ngushëlloi bashkëshorten, vëllain dhe të gjithë të afërmit e Anwar Rizik, të cilëve i premtoi mbështetjen e tij dhe të kompanisë që ai drejton e ku Rizik punonte deri dy ditë më parë. Bouri e quajti një humbje të madhe vdekjen tragjike të 43-vjeçarit për miqtë, kolegët dhe më shumë për familjen e tij të mrekullueshme, bashkëshorten Elda dhe dy djemtë e mitur. Por uroi që shpirti i tij të prehet në paqe.
DREJTORI BOURI
Charles Michael Bouri, drejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, i cili ishte kolegu dhe miku më i afërt i Anwar Rizik, ishte i vetmi që mbajti një fjalim pas përfundimit të psalmeve të priftit. Duke iu drejtuar herë pas here fotografive të mikut të tij që ishin vendosur në mesin e kishës e më pas bashkëshortes dhe vëllait të tij, drejtori Bouri tregoi një pjesë të historisë se si është njohur me Rizik. E kam takuar Anwar-in në vitin 1996 këtu në Shqipëri. Ishte takimi i parë, por pavarësisht kësaj, nga mënyra se si bisedonte me mua, e kuptova mirësinë, pastërtinë e tij dhe dëshirën e madhe që ai kishte për të investuar këtu. Më pas kemi jetuar bashkë për një kohë të gjatë këtu në Shqipëri. Gjatë asaj kohe miqësia jonë u forcua edhe më shumë dhe sot ndiej dhimbje për atë që ka ndodhur. Është një ngjarje tragjike që ai nuk e meritonte, pasi ishte një njeri i mrekullueshëm. Mik i përsosur. Bashkëshort i përkushtuar dhe një baba shembullor, është shprehur Bouri, i cili herë pas here e ndërpriste fjalën e tij dhe kthehej nga fotografitë e Rizik. Më pas, duke iu drejtuar bashkëshortes së mikut të tij, Elda Ferracaku, Charles Michael Bouri i premtoj asaj mbështetjen dhe përkrahjen e tij maksimale. Unë ju premtoj sot se ju do të keni mbështetjen dhe përkrahjen time, por edhe të vendit tim e kompanisë që drejtoj, në mënyrë që të përballoni këtë humbje të madhe. Pasi është një humbje e madhe jo vetëm për ju, por edhe për ne. Uroj që Anwar Rizik të prehet në paqe, e mbylli fjalën e tij i përlotur drejtori i fabrikës, Bouri. Ai theksoi se 43-vjeçari nuk ka pasur probleme apo konflikte personale dhe motivi i vetëm i vrasjes së tij ka të bëjë me punën që ai bënte si një biznesmen dhe sipërmarrës i suksesshëm.

Fqinja: Ishte gjallë, por ambulanca vonoi

Dëshmitarja e ngjarjes

Shpërthimi i dy ditëve më parë, ku mbeti i vrarë shtetasi palestinez Anwar Rizik, tronditi të gjithë zonën pas Ambasadës Amerikane ku ndodhi ngjarja, por më shumë banorët e vilës dykatëshe ku edhe ai jetonte prej vitesh me qira. Fqinja që banon në hyrjen tjetër të kësaj vile tregoi dje momentet e fundit të jetës së Anwar Rizik, pasi kishte ndodhur shpërthimi.
Ku ndodheshit në momentin që ndodhi ngjarja?
Ndodhesha në shtëpi. Jetoj në të njëjtën ndërtesë ku banon edhe familja e Anwar Rizik, por hyrja ime është në pjesën e pasme të vilës.
E ndiet shpërthimin mëngjesin e së mërkurës?
Si mund të mos e ndienim? Ishte një shpërthim mjaft i fuqishëm. Lëvizi gjithë shtëpia. Për këtë arsye dola që të shihja se çfarë kishte ndodhur.
Çfarë patë kur dolët jashtë?
Fillimisht dëgjova të bërtiturat dhe të qarat e Eldës. Ajo ishte e shkatërruar në atë moment. Qante dhe kërkonte ndihmë. Por kujdesej edhe për djalin e madh, të cilin një mrekulli e ka shpëtuar nga ajo ngjarje. Ai është fëmijë, por kupton shumë dhe kjo që i ndodhi para syve ishte e tmerrshme për të. Djali ndodhej pas të atit, madje ka qenë fati i tij që u shkëput nga dora e babait për të marrë një lodër që e kishte për zemër. Dhe kjo shkëputje e shpëtoi nga vala e shpërthimit.
Ju e patë trupin e Anwar Rizik pas ngjarjes?
E pashë dhe pamja ishte e tmerrshme. Asnjë nga ne nuk kishte asnjë mundësi për ta ndihmuar. Ai ishte akoma gjallë. I kishte sytë të hapur, edhe pse trupi i tij ishte… Njoftuam fillimisht ambulancën, pastaj policinë.
Pra ju thoni që Rizik ishte ende gjallë edhe pas shpërthimit?
Po, po. Ai ishte gjallë për gati 20 minuta. Thërriste, na shikonte dhe kërkonte ndihmë. Kërkonte një mjek. Por mjeku nuk erdhi në kohë. Ambulanca u vonua shumë. Edhe pse mbase e kishte të pamundur të mbijetonte në atë gjendje që ishte.
Po policia?
Policia erdhi, por ai kishte ndërruar jetë. Nuk kishte më asnjë shpresë për të.

Vëllai, Rami Rizik, i pranishëm në Tiranë
Ceremonia e varrimit të biznesmenit zhvillohet në vendlindje, Betlehem

Rami Rizik

TIRANE – Ceremonia e varrimit për Anwar Rizik do të zhvillohet nesër në Betlehem, në vendin e tij të lindjes. Ai do të përcillet nga Tirana drejt Aeroportit të Rinasit dhe trupi i pajetë do të fluturojë nga Shqipëria me linjën Alitalia. Bashkëshortja e tij, Elda Ferracaku, do ta shoqërojë gjatë këtij udhëtimi të tij të fundit, por pa djemtë e saj të mitur, pasi ata kanë vetëm shtetësinë shqiptare dhe e kanë të pamundur të udhëtojnë jashtë Shqipërisë. Ndërsa vëllai i 43-vjeçarit, Rami Rizik, i cili mbërriti paraditen e djeshme në Tiranë, do të largohet sot rreth orës 18:00 nga Shqipëria, për të kryer përgatitjet e ceremonisë mortore të të vëllait në Betlehem, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij që ndodhen atje. Anwar Rizik do të varroset në Betlehem me kërkesë të familjes së tij. Por në Tiranë do të kryhet një meshë homazh në kishën ortodokse, du

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›