E Diel, 1 Nëntor 2026

Wollfarth: Presidenti, dialogu është dinjitoz – shpresoj në një rezultat pozitiv

11-05-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth ka vizituar sot qytetin bregdetar të Vlorës, ku ka zhvilluar takime me autoritetet vendore. Ambasadori pasi ka shprehur kënaqësinë për prezencën e tij në qytetin e Vlorës ka komentuar marrëdhëniet institucionale në vendin tonë, duke u shprehur se forcimi i institucioneve është me shumë rëndësi. Sipas tij, kjo gjë nuk duhet të bëhet vetëm në nivelet qendrore të qeverisjes por edhe në ato vendore, pasi rëndësia e forcimit është më e madhe për mirë funksionimin e qeverisjes vendore.
Wollfarth do të vijojë takimet gjatë ditës së sotme edhe në drejtorinë e Policisë së qarkut të Vlorës, me kryeprokurorin e rrethit, kreun e portit të Vlorës, si dhe drejtuesit e qendrës Vatra. 

Si i shikoni marrëdhëniet midis institucioneve shtetërore?
Ambasadori Wollfarth: Respekt midis presidentit dhe parlamentit, nga parlamenti për presidentin, nga qeveria për parlamentin, nga parlamenti për qeverinë dhe nga qeveria për presidentin, pra në të tërë trekëndëshin. Kjo është shumë e rëndësishme për vendimmarrjen dhe gjithashtu për emërimet e rëndësishme që i nevojiten vendit, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese. Tre kandidatura kanë mbetur pezull prej shumë muajsh tashmë. Janë propozuar personalitete shumë serioze dhe duhet marrë një vendim në respekt të Presidentit që ka propozuar këta kandidatë. Për shembull, kandidatura e z. Artan Hoxha për Gjykatën Kushtetuese duhet parë si një kandidaturë shumë serioze. Seancat dëgjimore janë zhvilluar disa muaj më parë dhe, meqë Gjykata Kushtetuese nuk është e plotësuar – ka vetëm tetë nga nëntë anëtarë – vendi bosh duhet plotësuar sa më shpejt që të jetë e mundur, ndoshta që javën e ardhshme. Për ne, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për funksionimin më të mirë të vendit.

Si e shikoni procesin për zgjedhjen e Presidentit?
Ambasadori Wollfarth: Po zhvillohen diskutime për kandidatë dhe janë bërë publikë disa emra. Disa njerëz mund të kenë më shumë emra në mendje. Mendoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme që të përzgjidhen një ose disa persona të respektuar dhe, në fund, njëri prej tyre të zgjidhet. Ky proces duhet udhëhequr nga shqiptarët. Për këtë arsye, e vlerësoj së tepërmi dialogun që po zhvillohet, në formate të ndryshme, midis personaliteteve shqiptare, përfshirë atë mes kryetarëve të partive. E shoh si një dialog dinjitoz dhe të rëndësishëm, sepse, në fund të fundit, bëhet fjalë për një vendim të shqiptarëve për numrin një të shqiptarëve. Pra, po zhvillohet një proces i mirë, që, me shpresë, do të çojë në një rezultat të mirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›