Palestra e re e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër i rikthehet nxënësve dhe komunitetit

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Palestra e re e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër është gati të mirëpresë nxënësit në nisjen e vitit të ri shkollor, duke u ofruar atyre ambiente dhe terrene moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se investimi është realizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Shkodër, duke krijuar një hapësirë të re për sportin dhe aktivitetin fizik të nxënësve.
“Sporti, energjia dhe pasioni i tyre do të kenë më shumë hapësirë për t’u zhvilluar”, shprehet Kumbaro, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mjediseve bashkëkohore në institucionet arsimore.
Palestra nuk do të shërbejë vetëm gjatë orarit mësimor. Pas përfundimit të mësimit, ambientet do të vijojnë të jenë të hapura për aktivitete sportive dhe për komunitetin, duke e kthyer shkollën në një hapësirë të gjallë dhe funksionale edhe përtej procesit mësimor.
Investimi në gjimnazin “28 Nëntori” është pjesë e programit për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit, duke nxitur aktivitetin fizik dhe përfshirjen e komunitetit në jetën e shkollës.
/e.i/r.e/a.f/