Palestra ime antistres...
Me dhjetra palestra ndodhen në kryeqytet, por pritet edhe hapja e 4 palestrave super të mëdha. Tendenca për të shkuar në palestër është e re, por mbetet besnikërisht e përqafuar nga profesionistët e zyrave, ku aktiviteti fizik mungon
Melitën, vajzën 25-vjeçare, një kliente e rregullt palestrash e takuam duke u stërvitur. Një trup i gjatë, elegant, por edhe i rrumbullakosur në vendet e duhura. Asnjë kile e tepërt dhe tonifikim perfektmuskujsh. 25-vjeçarja brune, prej tre vjetesh frekuenton tre herë në javë palestrën dhe thotë se është lidhur shumë me të. “Jam lidhur shumë me palestrën, pasi kur isha e vogël, kam qenë balerinë. Për shkak se nuk e vazhdova rrugën e artit, u afeksionova shumë pas palestrës. Tani nuk mund të rri pa u ushtruar në palestër”,- tregon Melita. Dhe në fakt, ajo vazhdon të stërvitet edhe në orët e paradites, ku zakonisht palestrat janë gjysmë bosh. “Tani merrem me fitnes, ushtrime të lehta për të mbajtur trupin në formë. Unë nga prindërit kam trashëguar një trup të rregullt, pa kile të tepërta, por edhe kujdesin nuk e lë pas dore”, -shprehet 25-vjeçarja. Këtë gjë duket se e përforcon edhe instruktorja e saj, Ardita Çipa, e cila rrëfen se problemet e vogla të celulitit që kishte Melita janë zhdukur prej kohësh. “Melita është një nga klientet më të rregullta që kam. Ajo stërvitet 3 herë në javë dhe ka një pasion të madh për palestrën. Njëkohësisht ka zbatuar me rigorozitet edhe programin e stërvitjes që kam përgatitur për të”,- thotë instruktorja Ardita
Palestra e meshkujve
Klientët nga 25 deri në 40 vjeç duket se kërkojnë të kenë një trup më të bukur dhe një shëndet më të mirë. Këta klientë duket se në pjesën më të madhe rezultojnë të jenë meshkuj. “Rreth 60 për qind e klientelës sonë janë meshkuj. Kjo shpjegohet me faktin se ata kanë më shumë kohë të lirë gjatë ditës se sa femrat”,- shpjegon instruktorja Ardita Çipa. Sipas saj, meshkujt janë këmbëngulës në vënien e tepërt të masës muskulore. “ Nëse klientet femra janë më shumë të prirura tek humbja e kileve të tepërta apo tek fitnesi, meshkujt kërkojnë të vënë një masë muskulore më të madhe”, -tregon më tej instruktorja. Por për Arditën, shumë klientë drejtojnë tek ajo pyetje të “çuditshme”, ku shumë prej tyre kërkojnë që ta bëjnë trupin si të një këngëtari apo një aktori. “Një grua më ka pyetur një herë nëse mund t’i hiqte kilet e tepërta për një muaj dhe unë i thashë se duhet punë për këtë. E pyeta se sa kohë ishte dashur që t’i vinte gjithë ato kile”, -rrëfen historitë e klientëve të saj Ardita. Ndërsa në një rast tjetër, i kishte thënë nënës së një djali se fëmija i saj nuk mund të stimulonte në palestër gjatësinë. “Ajo më pyeti nëse fëmija i saj mund të zgjatej në palestër, por në të vërtetë gjatësia mund të stimulohet deri në 3 centimetër dhe pjesa tjetër është trashëgimi”,- shpjegon instruktorja. Megjithë dëshirat e “çuditshme” dhe kërkesat e ngutshme të klientëve të saj, Ardita shpjegon se një palestër duhet frekuentuar për tre qëllime: për mirëqënie fizike, për rregullimin e bukurisë trupore dhe mbi të gjitha, për të shkarkuar stresin.
Punonjësit e zyrave
Të zhdukësh në gira energjitë negative
Për të shkarkuar stresin e mbledhur gjatë orarit të punës si dhe për ta ndjerë vetën në lëvizje, shkojnë në palestër punonjësit e zyrave. Pas një dite të lodhshme dhe kur koha e tyre është e kufizuar, 1 orë në palestër do të ishte mëse e nevojshme. “Kjo lloj klientele mund ta përballojë edhe më shumë nga pikëpamja financiare, sepse ende në Tiranë, palestra po shihet si një vend luksi, kur në fakt nuk është ashtu”, komenton instruktorja. Mesatarisht një seancë në palestrat e Tiranës kushton 500 deri në 700 lekë të rinj. “Nga ana tjetër, palestrat mbeten vendi ku punonjësit e zyrave, të cilët gjatë gjithë ditës janë para kompjuterit apo tavolinës së punës, mund të kryejnë aktivitet fizik brenda 1 ore dhe energjitë e humbura mund të jenë të barabarta me ato të orëve të tëra lëvizje”,- shpjegon instruktorja. Nga ana tjetër shkarkimi i stresit në veglat e palestrës, si biçikletat, girat, makinat ku stimulohet një vrap artificial etj mbetet një nga arsyet e tjera kryesore se përse shumica e klientelës i përket njerëzve profesionistë. “ Për një orë çdokush mund të heqë energjitë e tij negative gjatë stërvitjes. Kjo i bën klientët të ndjehen më të lehtësuar dhe më në paqe me veten”, -thotë instruktorja. Por sipas saj, aktiviteti në palestër do të ishte i vlefshëm edhe për gratë në menopauzë, ku stresi është i madh si dhe për gratë shtatzëna.
Rreth 40 për qind e frekuentuesve krijojnë varësi nga palestra. Nuk heqin dorë, edhe pasi sjellin trupin në formë
Droga me emrin “Palestër”
Çdo e mirë e ka një të keqe. Kjo shprehje, duket se është me vend edhe për palestrat. Sepse të stërvitesh në palestër, të paktën për 4 muaj me radhë, nuk mbetet vetëm me aq. Palestra ka gjasa të të kthehet në “drogë”, prej së cilës je i varur,për ta provuar çdo ditë e më shumë. “Thuajse 40 për qind e klientëve tanë krijojnë një varësi të madhe nga palestra. Pasi e sjellin disi trupin në formë dhe pasi tonifikojnë muskujt, ata vazhdojnë sërish të kthehen në palestër. Kjo shpjegohet edhe me faktin se çdo person ka nevojë për aktivitet të përhershëm fizik dhe po u nis ky aktivitet mbetet e vështirë shkëputja nga ai”,- komenton Ardita. Për këtë arsye, duket se shumica e palestrave në Tiranë përdorin abonimet e rregullta, ku ka edhe lehtësira të ndryshme në pagesa. “Megjithëse shumë klientë vijnë rregullisht, ndryshe nga klientë të palestrave jashtë Shqipërisë, ende nuk është krijuar kultura e duhur e punës”, -thotë Ardita. Sipas saj, klientët, e kanë shumë të vështirë të merren me ambientin ku stërviten, ku shpeshherë nuk i çojnë veglat e stërvitjes në vendin e origjinës. “Mungon përkushtimi ndaj ambientit të stërvitjes, shpeshherë klientët kanë probleme me higjienën pasi harrojnë peshqirët pa marrë si dhe shumica e tyre preferon një muzikë të fortë si hauz apo dans gjatë stërvitjes, ndërkohë që në shumë palestra jashtë vendit preferohet muzika e lehtë”,- rendit ndryshimet instruktorja. Por sipas Ardita Çipës, tashmë klientet femra kanë mësuar të stërviten pa aksesorë, si unaza, vëth, varëse apo byzylyk, siç bënin tre apo katër vjet më parë.
TË MIRAT E PALESTRËS
Humbja e peshës
Nëse stërvitesh në palestër rregullisht, mund të humbësh të paktën 4 kilogram nga pasha jote trupore.Sigurisht kjo është e lidhur edhe me ushqimin, ku specialistët këshillojnë përdorimin e zarzavateve dhe mishrave të bardhë si pula dhe peshku dhe mënjanimin e mishrave të kuq si dhe të brumrave. Që të stërvitesh në palestër dhe të humbësh peshën, megjithatë nuk do të thotë aspak që të ndërpresësh të ushqyerin normal.
Fitnesi dhe Tonifikimi
Janë ushtrime të lehta, të cilat të ndihmojnë që të vësh bazat e muskujve, për të vazhduar më tej me rrumbullakosjen më të madhe të tyre. Përgjithësisht këto shërbime përdoren nga klientet femra, të cilat përveç humbjes së kileve të tepërta kërkojnë edhe një trup me muskuj me të ngjeshur e më të evidentueshëm.
Body Building
Është zhvillimi i mëtejshëm i muskujve, i cili përdoret kryesisht nga klientët meshkuj, të cilët janë më të prirur për të shfaqur format e tyre të muskujve.
Sauna
Janë dhoma të veçanta ku nëpërmjet temperaturave të larta , klientët mund të humbasin kilet e tepërta për shkak të shkrirjes së dhjamrave, tek të cilat masa ujore është më e lartë.
KËSHILLA
1
Deri në 1 orë e 20 minuta në ditë duhet të stërvitesh në palestër. Më shumë kohë nuk është e këshillueshme, për shkak të lodhjes së muskujve
1
Kilogram në javë mund të humbasë peshë një klient, që stërvitet të paktën 3 herë në javë. Megjithatë, ai duhet të ushqehet normalisht, duke shmangur vetëm mishin e kuq dhe brumrat.
17
E pasdites me 20 të mbrëmjes është orari më i përshtatshëm që klientët frekuentojnë palestrat e Tiranës. Megjithatë, shumica e palestrave në kryeqytet funksionojnë edhe paradite
40
Për qind e klientëve të palestrave në Tiranë krijojnë varësi ndaj saj, duke e parë të pamundur shkëputjen. Megjithëse krijojnë format e duhura trupore, ata nuk dinë të ndalen.
28
Gradë Celcius dhe më pak është kufiri maksimal i temperaturës së ambientit për të shkuar në palestër, pasi nuk këshillohen ushtrime në temperatura të larta
500
deri në 700 lekë të reja, kushton një seancë në palestrat e Tiranës. Ndoshta edhe për këtë arsye, palestrat frekuentohen nga zyrtarët dhe njerëzit në gjendje të mirë ekonomike.