Shtatzania sportive e Blerinës
Blerina Guga, drejtoreshë e Debatit në lëvizjen “Mjaft” rrëfen ndjesitë e saj në pritje të fëmijës së dytë. Një shtatzani “në karrierë”, më e sigurt dhe më e shpenguar…
E thjeshtë, super-aktive dhe mëse e shpenguar. Blerina Guga as që përton të ulë shkallët e larta, për të na orientuar drejt zyrës së saj. Po të mos e kesh ditur që më parë se Blerina është duke pritur femijën e saj të dytë, as që mund ta kuptosh, sepse ajo lëviz shpejt në ambjentet ku punon, por edhe barku i saj sapo ka nisur të ndryshojë. Drejtoresha e Programit për Debat në lëvizjen “Mjaft” është në muajin e katërt të shtatzanisë, në pritje të fëmijës së dytë, gjininë e së cilës ende nuk e ka mësuar. Jo se ekografia nuk ka mundur t’ia tregojë, por sepse kurioziteti i Blerinës si nënë, ka qëndruar vetëm tek fakti nëse fëmija ka qenë i shëndetshëm apo jo. Dhe gjithçka ka rezultuar e mbarë. Fëmija ka një zhvillim shumë të mirë, po ashtu edhe ajo një ecuri të mirë të shtatzanisë. Por drejtoresha e “Mjaftit” është mësuar tashmë. Ndjehet e sigurt në shtatzaninë e saj të dytë, po ashtu siç ndjehet tepër e gjallë edhe në punë.
Në zyrën e Blerinës
Një bluzë në ngjyrë të blertë, me një tjetër bluzë të hapur sipër, një palë pantallona të lirshme dhe padyshim një palë pupa të lehta. Kjo është veshja që mban Blerina. Jo vetëm se mjeku ia ka rekomanduar, por se ajo është një tip sportiv. Dhe kur e pyet, të thotë se gjithçka duhet të të bëjë, është të ndjehet rehat dhe e lirshme, sidomos në këto ditë. “Ndjehem vërtet shumë mirë dhe po e përjetoj mjaftueshëm mirë shtatzaninë time”, -rrëfen Blerina, e cila jo vetëm që nuk e ka lënë punën e saj, por njëkohësisht të tregon se në shtatzaninë e parë, ku lindi një vajzë, vazhdoi punën deri në muajin e tetë. “Ka shumë gjasa që të bëj edhe udhëtime në qytete të tjera, në varësi të punës, por ajo që mbetet e sigurt është se nuk do t’u them jo pushimeve në Himarë me bashkëshortin dhe vajzën time Anën, 4 vjeçe”, -shprehet Blerina, e cila në ndonjë moment e ndërpret rrëfimin për t’u përgjigjur telefonit në zyrë. Thënë nga ajo, qënia në aktivitet të përditshëm dhe në lëvizje të ndihmon shumë për të qenë në formë. “Lëviz shumë dhe po shfletoj shumë revista apo faqe elektronike për shtatzaninë. Sepse të them të drejtën, edhe pse e kam provuar një herë, çdo shtatzani mbetet e ndryshme nga tjetra. Ndjehem më e sigurt se sa një grua që nuk e ka provuar ende të sjellë një fëmijë në jetë, por edhe kjo shtatzani perceptohet nga unë si shumë e veçantë”, -tregon 30-vjeçarja. Por kur e pyet se si e percepton situatën e shtatzanisë kur vetë ajo është një grua në karrierë, Blerina të përgjigjet: si gjënë më natyrale në botë. “ Koncepti i gruas në karrierë, në Shqipëri, merr një kuptim tjetër. Do të thotë se gruaja në karrierë është e ashpër dhe konkuruese, pra ajo nuk perceptohet si nënë. Por unë them se burrat dhe gratë janë të ndryshëm dhe secili duhet të përshtatet me natyrën e tij. Mendoj qënjë grua mund t’i bëjë të dyja, edhe familjen edhe karrierën”,- thotë më tej Blerina. Por ajo rrëfen se fakti që është grua dhe një grua në pritje të fëmijës së dytë e ka privilegjuar disi. “Kolegët janë më të kujdesshëm ndaj meje dhe sigurisht që më pyesin herë pas here për shëndetin. Ata u gëzuan tejmase kur e morën vesh. Madje kanë nisur të mos pinë cigare në praninë time dhe unë kam nisur të mos e pi atë birrën time në fundjavë, që aq shumë më pëlqen”, -tregon për ndryshimet e vogla Blerina, e cila shton se edhe me sugjerimet e mjekut, nga kafeja nuk ka hequr dorë.
Për herë të dytë shtatzanë
E ka së tepërmi të vështirë të shprehë ndjesitë e saj, në momentet e para kur mori në gji Anën, e cila sapo kishte ardhur në jetë. Jo se i mungojnë fjalët, por se për Blerinën ende nuk janë zbuluar fjalët që mund ta përshkruajnë. “Janë të njëjtat ndjesi dhe emocione që përsëriten e përsëriten sa herë që fëmijës tënd nis t’i dalë dhëmbi i parë, që ai nis të hedhë hapat e para apo që nis të të bëjë pyetje që ti as që i shkon nëpër mend se mund të t’i bëjë”,- paralelizon ajo. Dhe Ana, vajza e saj 4-vjeçare, e cila e mori vesh shumë shpejt se do të bëhet me një vëlla ose motër, e ka pritur shumë mirë ardhjen në jetë të bebit. “Anën e kemi marrë që në vizitën e parë që kemi bërë tek mjeku dhe ajo ka nisur të përfshihet që atje, duke parë fotografitë apo duke u kujdesur për mua. Më duket se nuk është bërë aspak xheloze, ashtu si shumë fëmijë në moshën e saj mund të bëhen. Kjo edhe për faktin se ajo shkon në kopësht, ku shokët e shoqet kanë vëllezër ose motra”, shpjegon Blerina. Madje ajo tregon se në momentin e parë kur i treguan Anës, ishin të tre, Blerina, bashkëshorti Xhovani dhe ajo. “Tani do të kemi një bebe. Ajo na pa, qeshi dhe nisi të bënte pyetje pa fund”, -rrëfen Blerina për reagimin e parë të vajzës së tyre. Por shumë mirë e kanë pritur edhe të afërmit, ku nëna e saj duket se ka qenë më e “merakosura”. “Sigurisht që të afërmit shfaqin gjithnjë kujdes dhe merak por unë kam dashur të mos influencohem fare prej tyre edhe për të qenë active, por edhe për të mos ta tepruar me ushqimin. Madje edhe për emrin e fëmijës kemi vendosur që ta gjejmë unë dhe bashkëshorti”,- thotë Blerina.
TENDENCA
Bashkëshorti në lindje? Më mirë jo!
Gjithçka me bashkëshortin në krah. Jo se është tendencë e çifteve të rinj, por sepse për Blerinën, kjo është një nga gjërat më normale në botë. “Në çdo vizitë tek mjeku në krah kam patur bashkëshortin sepse të dy duhet të kemi të njëjtat të drejta dhe detyrime për fëmijën tonë. Edhe ai duhet të ketë të drejtën që të nisë dhe të ndjehet baba”, -tregon Blerina për bashkëshortin 33-vjeçar. Dhe ligështohet paksa kur kujton se shumë gra në Shqipëri nuk e përjetojnë zhvillimin dhe lindjen e një fëmije së bashku. Por kur e pyet Blerinën nëse do të donte që bashkëshorti i saj të merrte pjesë në procesin e lindjes së fëmijës së saj në dhjetor, ajo mendohet për një moment e të përgjigjet se ndoshta do të ishte më mirë që jo. “Kjo është diçka e bukur dhe shumë çifte e realizojnë, por mendoj që unë mund ta përballoj edhe vetëm lindjen e fëmijës”,- rrëfen Blerina, e cila shton se edhe prezenca e nënës së saj në sallën e lindjes do të shtonte problemet pasi nënat janë më kërkuese ndaj mjekëve dhe infermierëve në lindje. Megjithatë, Blerina dëshiron shumë të ketë një lindje natyrale, njësoj si me Anën, pa patur aspak frikë.
Baballarët shqiptarë, gjithnjë në kërkim të trashëgimtarit. Nënat, në kërkim të lumturisë së partnerëve
Çfarë duan më shumë shqiptarët? Të paktën një djalë..
Të paktën një djalë në familje. Kjo është kërkesa e pandryshuar në kohë e çifteve shqiptare, të cilët ende nuk e kanë ndryshuar mentalitetin: “djali mban shtëpinë”. Nga rrëfimet e gjinekologëve apo mjekëve që asistojnë gjatë ekografisë, del se shumica e baballarëve, para se të interesohen për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës së tyre, pyesin nëse fëmija është djalë apo vajzë. “Kam dy vajza dhe burri dëshiron ta kemi djalë këtë të tretin. Unë dua vetëm të jetë më këmbë e me dorë se të tjerat rregullohen”,- tregon Arjana, një grua në muajin e 6-të të shtatzanisë, e cila është drejtuar për tek “Qendra e Shëndetit të Gruas” në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Kurse një tjetër grua shtatzënë në muajin e katërt, e cila pret fëmijën e parë thotë për “Faqet e së Shtunës” se do të ishte e kënaqur, sikur ta kishte vajzë. “Kam qejf që të jetë vajzë, por edhe po qe djalë, do t’i bëhet qejfi burrit”,- thotë Luljeta, 26 vjeçe, e cila ndodhet e vetme në maternitetin “Koço Gliozheni”, për të kryer një vizitë.Të paktën një djalë në familje, që bashkëshortët shqiptarë të gëzohen apo që familja të ketë një trashgimtar, mbetet edhe dëshira e grave shtatzëna në mes të kryeqytetit. Të dhënat tregojnë se përgjithësisht, dëshira e këtyre çifteve plotësohet, pasi numri i vajzave dhe i djemve të lindur mbetet thuajse në shifra të barabarta, ku ndonjëherë djemtë janë më të shpeshtë “ Në maternitetin tonë thuajse 52 për qind lindin meshkuj dhe 48 për qind janë femra”, -shprehet Orion Gliozheni. Nga ana tjetër, thuajse e njëjta përqindje ekziston edhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. “Në 6-mujorin e parë të vitit 2008 numri i meshkujve të lindur ka qenë 1320 dhe numri i femrave të lindura ka qenë 1200”, -thotë zëdhënësja e shtypit, Ervina Nuri. Kështu, me një djalë apo jo, prindërit shqiptarë nuk kanë pse të shqetësohen. Duket se lindja e djemve në Shqipëri ka përparësi.
Orion Gliozheni, gjinekolog
“Si të kujdesesh për shëndetin kur je shtatzënë”
Kujdesi duhet të nisë para se të konceptohet një fëmijë, gjatë shtatzanisë dhe pas saj. Para se të konceptohet ky fëmijë, duhen bërë analiza të sakta tek çifti për sëmundjet që mbartin ata ose jo. Pas analizave të sakta dhe pas konceptimit të fëmijës, gruaja duhet të paraqitet pranë materniteteve, për të krijuar kontakt me mjekun që do ta ndjekë. Pas konfirmimit të shtatzanisë, mjeku gjinekolog i rekomandon gruas shtatzënë se si duhet të jetë aktiviteti i saj për 9 muajt e ardhshëm. Kështu, gruaja duhet të ketë një aktivitet jetese normal dhe pa sforcime fizike. Nga ana tjetër, duhet të ushqehet në mënyrë të kujdesshme, që të mund të marrë kaloritë e duhura, por pa tejkaluar peshën e duhur. Ndodh që nënat ose vjehrrat ndërhyjnë në ushqimin e këtyre grave shtatzënë, duke u dhënë për të ngrënë dyfishin e ushqimit që duhet të konsumojnë. Kjo nuk është e rekomandueshme, sepse mbipesha mund të rrisë tensionin e lartë, i cili rrezikon nënën dhe fëmijën. Nga ana tjetër, gratë shtatzëna nuk duhet të përdorin asnjë medikament pa u konsultuar më parë me mjekun. Madje konsultat me mjekun duhet të jenë të shpeshta, gjithashtu edhe vizitat tek dentisti për shkak të prishjes së dhëmbëve, pasi nuk lejohet asnjë lloj radiografie me rreze X, të cilatjanë të dëmshme për fëmijën. Nga ana tjetër, gruaja duhet të ruajë qetësinë duke mos përjetuar asnjë moment stresi, të cilin mund ta përjetojë njësoj edhe bebja në barkun e saj. Por gruaja duhet t’i nënshtrohet edhe analizave të gjakut, për të parë nëse mund të ketë prezencën e ndonjë anemie ose jo, e cila mund të bëhet e rrezikshme nëse ekziston. Një grua shtatzanë duhet të përdorë kalcium dhe vitamina, të cilat janë të domosdoshme, por pas konsultës me mjekun. Për gratë mbi 35 vjeç rekomandohet edhe përdorimi i acidit folik, mundësisht në ditët e para të shtatzanisë për të mënjanuar defekte të mundshme në shtyllën kurrizore të bebit. Sigurisht, gjithçka merret pas konsultës dhe mbushjes së recetës nga mjeku gjinekolog. Gruaja duhet të planifikojë edhe spitalin ku do të lindë, me qëllim që të mos lërë gjithçka në momentin e fundit. Në muajin e katërt të shtatzanisë, ekografia mund të përcaktojë edhe seksin e fëmijës.
Lehtë dhe lirshëm, veshja e duhur në shtatzani
Ajo që mbetet e rëndësishme është që gratë shtatzëna duhet të vishen lehtë dhe lirshëm. Në mënyrë kategorike duhen mënjanuar takat e larta dhe grimi i shumtë. Por e rëndësishme është që gratë të jenë të duruara në procesin e lindjes, duke mos stimuluar lindje me operacion. Një lindje natyrale është gjithnjë më e mirë se sa një lindje me operacion. Pas lindjes së fëmijës, gratë nuk duhet t’i lënë pas dore vizitat tek mjeku për të parë gjendjen e tyre shëndetësore.
Përrallat e gjysheve për shtatzaninë
Kanë ikur kohërat kur nënat apo gjyshet u rekomandonin vajzave të reja, të pamësuara me shtatzaninë, se duhet të konsumojnë shumë ushqim. Tashmë, mjekësia sugjeron se nënat në pritjenuk duhet ta teprojë me peshën. Një grua shtatzënë nuk duhet të shtojë më shumë se 10 kilogramë gjatë gjithë shtatzanisë. E rëndësishme është që ushqimi të jetë i larmishëm dhe i pasur me elementët e domosdoshëm. Nga ana tjetër, me zhvillimin e mjekësisë gratë shtatzëna po kuptojnë çdo ditë e më shumë se forma e barkut apo madhësia e tij nuk mund të tregojë nëse një fëmijë është vajzë apo djalë. Dikur, nëse barku i një gruajë shtatzënë ishte i vogël, thuhej se mundësia më e madhe ishte të lindej djalë dhe nëse barku ishte i madh, mund të lindej vajzë. Kjo mbetet thjesht bestytni. Po dikur, nënat apo gjyshet sugjeronin që nëse do djalë, duhet ta konceptosh atë në ditën e 14 të ciklit menstrual. Ka diçka të vërtetë, por që nuk lidhet me seksin e fëmijës. Doktor Gliozheni thotë se dita e 14, duke numëruar nga dita e parë kur nisin menstruacionet, është një nga ditët kur fëmija mund të ngjizet më lehtë. Por kjo nuk ka lidhje me seksin e fëmijës. “Seksi i fëmijës është diçka fare rastësore dhe nuk varet aspak nga koha e konceptimit të tij”,- shpjegon gjinekologu Gliozheni.