Plagosën kamerierin, arrestohen me zjarrfikëse
DURRËS- Një sherr banal për pak sa nuk i ka kushtuar jetën punonjësit të një lokali në plazhin e Durrësit. Ai është zënë me dy klientë, të cilët e kanë qëlluar më pas me thikë. Incidenti që pasoi me plagosjen e rëndë me thikë të një të riu, ka vënë në lëvizje policinë për të kapur të dyshuarit si autorë të krimit, Vaniol Kodhe dhe Ermal Kulla. Ata, pasi kishin goditur me thikë kamerierin, kanë tentuar që të largohen në drejtim të Fierit, ku edhe banojnë. Burimet e policisë pohuan se dy të rinjtë janë zhdukur për momentin dhe janë ngjitur në banesën që kishin marrë me qira në pallatin e plazhit. Por ky vend u pikas nga policia, e cila gjeti një zgjidhje origjinale për të kryer arrestimin. Punonjësit e policisë kanë kërkuar ndihmën e një makine të zjarrfikëses dhe me shkallën e saj janë ngjitur deri në ballkonin e të kërkuarve, të cilët janë kapur në befasi.