E Diel, 1 Nëntor 2026

“Palët të gjejnë zgjidhjen sipas ligjit”

07/05/2010 Kryeparlamentari italian Xhanfranko Fini kërkon kapërcimin e ngërçit politik në Shqipëri

Përforcohet mbështetja e vendit fqinj për procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimin në BE

Thirrjeve të aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë drejtuar klasës politike shqiptare për të gjetur një zgjidhje të shpejtë të ngërçit politik i është bashkuar ditën e djeshme edhe presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë Xhanfranko Fini. Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Sali Berisha, në deklaratën për mediet kryeparlamentari italian u ka kërkuar palëve të përfshira në konflikt që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Ai ka theksuar se gjithçka duhet të gjejë zgjidhje brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore. “Uroj për një zgjidhje sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve që janë ende të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje. Sigurisht, sikundër përmendi edhe kryeministri Berisha, në respektim të Kushtetutës, të ligjit dhe të pavarësisë, por dhe të rekomandimeve apo të mendimeve të gjithë komunitetit ndërkombëtar”, - ka deklaruar Fini. Duke analizuar situatën politike shqiptare, ai ka lënë të kuptohet se nuk do të ndërhyjë te mazhoranca apo opozita shqiptare. Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë nënvizoi se respekton pavarësinë dhe dinamikën politike të Shqipërisë. Në deklaratën e tij zyrtari i lartë i shteti fqinj është ndalur te proceset e integrimit europian të vendit tonë. Ai ka prekur në mënyrë të veçantë procesin e liberalizimit të vizave mes vendeve të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Sipas tij, procesi i liberalizmit të vizave është një proces më se i rëndësishëm dhe që duhet të bazohet në meritën, çka përbën edhe synimin kryesor. “Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave, që, sikundër e tha edhe zoti Berisha, është një proces më se i rëndësishëm, pavarësisht sprovave të shumta që i është dashur të përballet e të kapërcejë qeveria shqiptare, pikërisht sprova që i janë vënë përpara nga BE-ja”, - deklaroi Fini. Nga ana e tij kreu i ekzekutivit ka theksuar se qeveria që drejton respekton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar, force politike apo organizate për të protestuar në mënyrë paqësore, në formën që ai vlerëson më të përshtatshme. Ai është shprehur i gatshëm për të biseduar me lidershipin e opozitës dhe për të bërë transparencën ndaj gjithçkaje që pretendon opozita. “Kam qenë dhe jam i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj. Unë shpresoj që opozita të përfitojë dhe e ftoj atë të përfitojë nga këto mundësi”, - ka deklaruar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›