E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestuesit “privatizojnë” bulevardin, bllokohet qarkullimi

07/05/2010 Shkodra dhe Lezha në shesh kundër qeverisë “Berisha”

Partia Socialiste vijon protestat në mbrojtje të votës së lirë

Partia Socialiste “privatizon” sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, duke u lënë dorë të lirë protestuesve mbështetës të saj që për 6 ditë me radhë të shfrytëzojnë sipas dëshirës këtë hapësirë. Gjatë pasdites së djeshme ishin disa banorë të Shkodrës dhe të Lezhës ata që u bashkuan në bulevard dhe të mbështetur edhe nga qytetarët e kryeqytetit protestuan në mbrojtje të votës së lirë. Njëkohësisht manifestimi i tyre është pikësëpari në solidaritet me deputetët dhe qytetarët që kanë rreth një javë që janë në grevë urie. Por ndërkohë që protestohet, mbështetësit e kampit opozitar përpiqen të shkaktojnë kaos në trafik, edhe pse kjo për pak minuta. E njëjta situatë u krijua edhe pasditen e djeshme, ku një pjesë e protestuesve socialistë ishin të përqendruar te mesazhet që vinin nga tribuna ku mbaheshin fjalimet e rastit. Ndërsa një pjesë tjetër, kryesisht të rinj, vraponin nga sheshi përpara godinës së Kryeministrisë drejt dy kryqëzimeve në bulevard, duke mos lejuar kalimin e makinave që po qarkullonin në atë kohë. Këta protestues uleshin këmbëkryq në rrugë, duke e bllokuar atë. Forcat e policisë, të pranishme dhe në numër të konsiderueshëm, ishin të vendosur përgjatë gjithë bulevardit, duke u kërkuar drejtuesve të automjeteve që të ruanin qetësinë dhe të prisnin derisa protestuesit të zhbllokonin rrugën. Për më shumë se 30 minuta protestuesit socialistë vijuan të ndiqnin një itinerar të tillë, duke kaluar sa te njëri kryqëzim tek tjetrit, deri në çastin që kreu i Partisë Socialiste Edi Rama nisi fjalimin e tij. Përpara se të vijonin manifestimin e radhës, si çdo ditë tjetër, mbështetës dhe militantë të PS-së kishin zgjedhur si stacion transit për të protestuar kundër mazhorancës sheshin përpara Parlamentit, ku pritej të fillonte seanca parlamentare e ditës së enjte. Bashkë me tubimin protestuesit bllokuan dhe qarkullimin e automjeteve që kanë të drejtën të kalojnë në atë rrugë. Me flamuj dhe pankarta mbështetësit e Partisë Socialiste lëshonin parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha, duke kërkuar largimin e tij. Ndërkohë, duke qenë se gjatë ditës së djeshme ishte radha e banorëve të Shkodrës dhe të Lezhës që të protestonin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nuk kishte si të mungonin pankartat, ku kërkohej llogari për përmbytjet në këto zona. Banorët e këtyre zonave pritet të mblidhen sërish në këtë shesh, ku bashkë me qytetarë nga i gjithë vendi do t’i bashkohen një tjetër proteste të madhe më datën 9 maj, ku socialistët do të manifestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për garantimin e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve.

Kryeministri Berisha përshëndet me dorë grevistët socialistë

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje grevistët e urisë, të cilët kanë hyrë në ditën e shtatë të kësaj nisme. Kreu i ekzekutivit preferoi që gjatë paradites së djeshme të përshëndeste socialistët me një tundje të dorës. Kryeministri Berisha zgjodhi që të vepronte në këtë mënyrë në çastin që përcolli kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit Italian, Xhanfranko Fini. Pas takimit të dy bashkëbiseduesit u shfaqën në hyrjen kryesore të Kryeministrisë për të zhvilluar përshëndetjen zyrtare, ku kreu i ekzekutivit do t’i kthehej zyrës së punë së tij, ndërsa Fini do të vijonte axhendën e tij të takimeve, e cila pasonte bisedën me kryeparlamentaren Topalli. Por kryeministri Berisha në çastin që u hap porta kryesore e Kryeministrisë ngriti dorën e tij të djathtë për të përshëndetur grevistët e vendosur përpara kësaj godine, edhe pse momentalisht asnjë nga grevistët nuk ishte jashtë çadrave. Ndërkohë Fini kaloi më këmbë nga Kryeministria për te selia e Kryesisë së Kuvendit, ku kishte dalë duke e pritur kryeparlamentarja Topalli. Madje, ai nxitoi ta takonte atë, pas vonesës së vogël në telefon.

Rama: Berisha asgjësoi Kushtetutën dhe ligjin

“Ne që kërkojmë liri dhe të drejta për gjithë shqiptarët, nuk jemi njësoj me ata që kthejnë gënjeshtrën në të vërtetë. Ne që e duam Shqipërinë si gjithë Europa, nuk jemi njësoj me ata që e përdorin Europën për qëllimet e tyre. Kushtetuta është asgjësuar dhe ligjin në Shqipëri e bëjnë interesat e oborrit të mbretërisë së pashpallur”, - deklaroi Rama përpara protestuesve. Kreu socialist shprehu “mirënjohje për grevistët, që po e çojnë përpara sakrificën e tyre. Shpirti i opozitës po provon me rezistencë të vërtetën e saj si alternativa e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit”. Referuar ligjit të qeverisë për tokat, e cila shitet për një mijë lekë metri katror, Rama vlerësoi se “qeveria ka nxjerrë një hartë të vetën, sipas së cilës çmimi i tokës truall varion, sepse variojnë edhe orekset brenda asaj harte”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›