E Diel, 1 Nëntor 2026

Palët të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit

24-03-2013 / Gazeta 55

Apeli i eurodeputetëve Bernd Posselt dhe Jelko Kacin

Për deputetët e Parlamentit Europian të gjitha partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme përballë procesit të integrimit europian, pasi sipas tyre kudo ka debate të ashpra politike.
Sipas eurodeputetit Bernd Posselt edhe në Gjermani ka debate të forta, por çështjet e brendshme janë  çështje të brendshme dhe jot të jashtme. “Ne kemi debate të ashpra elektorale edhe në Gjermani. Por për çështje parësore, partitë duhet të bashkëpunojnë. Një bojkot apo një tjetër aksion i ngjashëm me të nuk është asnjëherë një zgjidhje e mirë. Në procesin e integrimit mund të ketë progres vetëm nëse çështjet e brendshme dhe përplasjet e brendshme nuk sillen në nivelin europian. Për çështjet e integrimit, të gjitha partitë duhet të bashkëpunojnë. Nëse dikush i keqpërdoron këto zgjedhje për lojëra të brendshme. Kjo do të shkatërrojë shansin e Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit shpejt”, theksoi ai.
Ndërkohë eurodeputeti gjerman Posselt thekson se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë  dhe Hungarisë e cila anëtarësohet përfundimisht me 1 qershor. “Nëse shohim shembullin e Kroacisë, që do bëhet anëtare këtë vit dhe atë të Hungarisë, rezulton se këto dy vende kanë pasur debate të brendshme të ashpra, por kur ka qenë fjala për integrimin europian, ato kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Mund t’ju them se për Kroacinë ishte shumë më i vështirë se vendet që u anëtarësuan para saj. Unë kam punuar prej vitesh për Kroacinë. Jam i lumtur që Kroacia do të bëhet anëtare tani. Por mund t’ju them me bindje, se anëtarësimi i Kroacisë është shumë më i vështirë se zgjerimet e tjera”. Sipas tij, zgjerimet e ardhshme të BE do të bëhen gjithnjë e më të vështira. “Varet shumë nga përpjekjet e secilit vend për reformat e integrimit. Shqipëria ka kryer shumë reforma dhe ka shënuar shumë progres vitet e fundit. Pra,vendi ka shumë shanse që të përparojë në integrimin europian. Por Shqipëria duhet të shfrytëzojë këtë shans, përndryshe vendi mund të mbetet shumë mbrapa”, theksoi ai.
Për Bashkimin Europian, zgjedhjet janë një test për pjekurinë politike të vendit dhe kusht për hapjen e negociatave tê anëtarësimit.
Sipas eurodeputetit Jelko Kacin zgjedhjet e 23 qershorit janë jashtëzakonisht të rëndësishme. “Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Shpresoj që të dyja palët do të njohin rezultatin. Dhe shpresoj që përplasjet midis tyre për interpretimin e rezultatit të mos marrin dhe dy vjet të tjera”, nënvizoi Kacin. 
Për eurodeputetët, është në interesin e forcat politike shqiptare dhe të të gjithë vendit, që tê bashkëpunojnë për integrimin, pasi anëtarësimi në Bashkimin Europian do të bëhet shumë më i vështirë pas Kroacisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›