E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallati i Endrrave "zgjon" SllovenineNga Abedin MaliqiMbrëmje për Kadarenë dhe veprën e tij të famshme “Pallati i Ëndrrave” Këto ditë u mbajt takimi i 42 i shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë. Vend ky më piktoresk nën Alpet sllovene ose siç e quaj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pallati i Endrrave "zgjon" SllovenineNga Abedin Maliqi

Mbrëmje për Kadarenë dhe veprën e tij të famshme “Pallati i Ëndrrave”

Këto ditë u mbajt takimi i 42 i shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë. Vend ky më piktoresk nën Alpet sllovene ose siç e quajnë këtë vetë Sllovenët: në anën diellore të Alpeve.

Pra këtu, në shpatinat e këtij vendi kaq piktoresk nën Alpe, ku me shekuj u ndan dy kultura, ajo e lindjes dhe ajo e perëndimit, pikërisht këtu, në këtë kufi, ku dielli së parë i ndritë Alpet, ndodhi takimi i Penistëve Ndërkombëtar, shkas për të cilin ishte tema e trajtuar nga shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në romanin e tij më disident gjatë diktaturës komuniste “Pallati i Ëndrrave”.

Edhe në tryezën e rrumbullakët të organizuara me këtë rast nga Komiteti PEN Ndërkombëtar, ku prezentë ishin anëtarët e komitetit paqësor nga kontinente të ndryshme, u bisedua lidhur me paqen e shtrirë midis ëndrrave të ditës dhe të natës përkatësisht ëndrrave të ndritshme dhe të errëta, ëndrrave dhe ëndërrimeve, siç u shpreh më vonë Kadare në mbrëmjen letrare kushtuar atij në Kështjellën e Lubjanës. “Sepse në Pallatin e Ëndrrave nuk flitet për ëndrra veçse për ëndërrimin. Dhe ky është argument se sa vështirë është të vesh nën kontroll impulset e njeriut, që dalin nga mendja e tij”, shtoi Kadare.

Pra, Pallati i Ëndrrave edhe ishte inspirimi për temën: Paqe midis ëndrrave të ditës dhe të natës përkatësisht midis të ndritshmes dhe të errëtës së të qenit. Roman ky i pari, që po përkthehet drejtpërdrejtë nga gjuha shqipe në atë sllovene e që do të del nga shtypi në vjeshtën e këtij viti, në Edicion të shtëpisë botuese Modrian të Lubjanës. Para se të vij dimri. Kur edhe netët janë më të gjata. Kur errësira dominon mbi dritën. Kur edhe kushtet natyrore për tu jetësuar në brendinë e tij të tejankthshme, me një ankth edhe më të madh se vet ëndrrat, të cilat janë lëndë e seleksionimi dhe interpretimi të Ebu Qerimit (personazhit kryesor), të cilat vijnë në mënyrat më të ndryshme e nga vendet më të largëta të “perandorisë otomane”, janë edhe më të përshtatshme. Roman ky i ndaluar gjatë regjimit komunist, një fragment nga i cili e lexoj bashkëshortja e Kadaresë, Elena Kadare, sepse, siç shpjegoi ajo: “Ismaili si një burrë tipik, kishte harruar syzet për lexim”. E njëjta gjë u bë edhe në gjuhen sllovene. Por jo nga zonja Elena Kadare.

Dhe pa dashje të imponohet një mendim i filozofit Kovaç, i cili thotë: “Që prej kohësh ëndërrojmë, por shumë më vështirë i realizojmë ëndrrat. Zhgënjimi na inspiron, që të ëndërrojmë gjatë ditës me diell. Dhe pasi të zgjohen mendimi dhe fjala fillojmë që me mendje ta bëjmë lidhjen shkakësore të botës përreth nesh. Kështu lindën mitet e para dhe shkrimtaria. Krijuesi, i cili jeton për paqe, duhet t´ju kundërvihet ngashënjimeve të ëndrrave të natës, të keqes së vdekjes, gjenocidit dhe holokaustit”.

Sipas mendimit të kryetarit të Komitetit Paqësor Ndërkombëtar të PEN, Edvard Kovaç, biseda ka ndritur takimin midis ëndrrave, të cilat shpien kah drita dhe të cilat janë të lindura nga drita, dhe ëndrrave, që shpien në humbje, konflikt, errësirë dhe vdekje. Kadare, ashtu sikurse edhe Kovaç, është në anën e ëndrrave të ndritshme të shpresës. Kundruall ju qëndrojnë ato, të cilat janë të banuara nga dëshpërim dhe zhgënjimi.

Tashmë sa kohë mençuria letrare e veçantë e Kadaresë ka depërtuar në kureshtjen e lexuesit slloven dhe po rritet si lëmsh dëbore, që rrokulliset shpatit e që nuk ndalet dhe po pritet me padurim kreativiteti i tij. Sepse edhe është herë e parë, që një vepër e Kadaresë të përkthehet drejtpërdrejt nga shqipja ne sllovenishte.

Në mbrëmjen letrare në praninë e pjesëmarrësve të qendrës PEN kushtuar Kadaresë, kyebashkiaku i Lubjanës Zoran Jankoviq, që edhe ishte nikoqir, shprehu se Lubjana, qyteti më i bukur në botë, një qytet multikulturor, në vitin e ardhshëm do të jetë edhe kryeqendra botërore e librit. Shih për këtë edhe përkthimi i “Pallatit të Ëndrrave” do të vij në çastin më solemn, në çastin më të ndritshëm. Pas fjalës së kryebashkiakut të Lubjanës të pranishmit i përshëndeti kryetari i ri i Qendrës Ndërkombëtar PEN John Raltson Saul si dhe kryetari i Qendrës Sllovene PEN Marjan Strojan, duke lënë kështu kohën për yllin e mbrëmjes, Ismail Kadare, të cilin njohësit e këtushëm të letërsisë e dinë për fitues të shumë shpërblimeve ndërkombëtare dhe si kandidat për Çmimin Nobel për letërsi.

Ismail Kadare, detaj nga mbrëmja letrare e organizuar për nder të tij

në Kështjellën e Lubjanës, datë 26.03.2010

Në këtë mbrëmje letrare u zhvilluar edhe një bisedë me të, bartës i së cilës ishte teologu dhe filozofi slloven Edvard Kovaç. Në këtë bisedë Kadare ndriti edhe më tepër sallën mesjetare të Kështjellës së Lubjanës me përgjigjet e tija erudite, me mendjemprehtësinë e tij, sidomos atje ku ai e ndjente se kishte nevojë, për ta shprehur më denjësisht qëndrimin e tij në mbrojtje të letërsisë nga keqpërdoruesit e psikanalizës së Froidit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të filozofit Kovaç lidhur me këtë çështje, Kadare paraqiti edhe pikëpamjet e tija lidhur me babanë e psikanalizës Sigmund Freud. Me përgjigjen e tij, siç e përmblodhën edhe disa media sllovene, ai befasoi opinioni, pasi që paksa në mahi pohoi se shkrimtarët, parimisht, nuk janë simpatizues të tepruar të Freudit. Ai me këtë rast i evokoi ditët studentore në kryeqendrën komuniste, në Moskë. Atëherë kishte dëgjuar shkrimtaren e madhe ruse Ana Ahmatova, e cila në një rast kishte bërtitur, se Freudi është njeriu i cili më së shumti ka hedhur baltë mbi shkrimtarët. Reagim ky të cilin Kadare më vonë e kishte kuptuar. Freudi duke analizuar romanin e Dostojevskit Vëllezërit Karamazov, kishte thënë se ky shkrimtar ka të gjitha simptomat e një krimineli. Shih për këtë Freudin e kishin “adoptuar” organet represive të Bashkimit Sovjetik të dikurshëm dhe përmes kësaj pikëpamjeje i shikonin disidentët. Ata përmes Freudit kanë diskredituar tërë artistët, kurse literatura e shpirtrave të lirë në sytë e tyre dukej si një repart i një spitali psikiatrik. Për këtë arsye Kadare si shkrimtar e mbron qëndrimin e vet si dhe ndaj Freudit ka një raport distancues.

Në pyetjen se si lindin personazhet e tij përkatësisht si ka lindur personazhi kryesor i Pallatit të Ëndrrave, Ebu Qerim, Kadare pohoi se para kësaj pyetje ka qenë shpeshherë dhe se nuk dëshiron të përgjigjet në këtë, pasi që letërsia është e ndërlikuar dhe një mekanizëm misterioz. Shprehur në mënyrë metaforike ai shtoi: “Nëse literatura është makinë, atëherë unë jam makinist. Di ta drejtoj, por nuk di se si funksionon”, duke shkaktuar kështu ovacione duartrokitjesh. Me këtë rast ai përmendi shumë figura e raste të ndërthurura me këtë sidomos nga letërsia ruse të lidhura me psikanalizën e Frojdit. Përmendi edhe pikëpamjet e tij lidhur me kreativitetin letrar, gjetjet, siç i quan ai.

Në fund Kadare u shpreh se ishte për herë të parë në Slloveni, se ky vend i ka bërë përshtypje dhe se Shqipëria për rrethana të këtilla jetësore mundet vetëm se të ëndërroi. Dikur Sllovenia ishte në Ballkan. Tashti keni ikur, e që për ne është fat, pasi që kështu kemi mësuar, se ç´rrugë duhet të ndjekim”, përfundoi Kadare.

Abedin Maliqi, Lubjanë, 27.03.2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›