Pallati u bllokon pamjen e detit, reagon ambasadori

Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen, dje në Sarandë
“Mbiu” para ballkoneve, Jensen: Ndryshuan kushtet e kontratës.
Katër familje, daneze e suedeze , alarmojnë ambasadat.
Iu “mbin” pallati para, duke iu zënë pamjen nga deti, shtetasit e huaj alarmojnë ambasadat për fenomenin. Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen, ishte dje në Sarandë dhe denoncoi një rast duke komentuar edhe vendimin e gjykatës në lidhje me një pallat në ndërtim. Sipas tij, nëse një gjyqtar i korruptuar jep një vendim i cili nuk është në përputhje me ligjet, atëherë kjo shkatërron reputacionin e Shqipërisë. Fenomeni i ndërtimit të pallateve ngjitur me njëri-tjetrin që ndodh rëndom jo vetëm në Sarandë, por në të gjithë vendin tonë, nuk është anashkaluar nga shtetasit e huaj, të cilët e kanë konsideruar atë si një cenim të kontratës së blerjes të apartamenteve të tyre. Katër familje, dy daneze e dy të tjera suedeze, mësohet se kanë blerë disa vite më parë apartamente buzë detit, me qëllim që të vijnë dhe të kalojnë pushimet e verës në Sarandë. Pallati 7-katësh ku ata jetojnë është ndërtuar rreth 150 metra larg detit. Sipas pretendimit të tyre, një ndër kriteret e kontratës së blerjes së apartamenteve ka qenë fakti se ato ndodhen me pamje nga deti. Por, pak kohë më pas, Bashkia e Sarandës dha një tjetër leje ndërtimi. Pallati ka nisur punimet rreth 30 metra larg detit dhe ka arritur punimet deri në katin e tretë të saj, ndërsa nuk dihet se për sa kate e ka marrë lejen. Duke qenë të pafuqishëm të ndalojnë ndërtuesit, katër qytetarët danezë e suedezë kanë vënë në dijeni ambasadat përkatëse. Këto të fundit mësohet se i kanë kërkuar Bashkisë t’i pezullojë punimet e pallatit, leja e të cilit ishte dhënë kur Bashkinë e drejtonte PD-ja. Kreu i Bashkisë, Stefan Çipa, bëri të ditur dje se ai i ka pezulluar punimet dhe e ka çuar çështjen në gjykatë. Por, kjo e fundit ka vendosur në favor të ndërtuesit. Tashmë çështja është në proces në shkallët e tjera të Gjyqësorit, ndërsa ambasadori danez inspektoi dje situatën nga afër, nga ku ka dhënë opinionin e tij për çështjen, por edhe për betonizimin e qytetit turistik në përgjithësi. “Betonizimi i bregdetit është një parashikim i zymtë për investimet e të huajve, apo dhe për thithjen e turistëve. Ardhja e investitorëve të huaj në Sarandë është e sigurt nëse ata do të kenë të garantuar pa-cenueshmërinë e pronës së tyre. Por, nëse ndodh e kundërta, atëherë reputacioni i Shqipërisë është në diskutim. Unë erdha të shoh këtë vend, se u informova nga kryetari i Bashkisë rreth disa problemeve që ka në Sarandë. Erdha këtu se disa nga bashkëqytetarët e mi kanë investuar në blerjen e apartamenteve dhe janë ankuar se kushtet e investimit kur ata e blenë apartamentin kanë ndryshuar. Ky ndërtim këtu është në proces gjyqësor dhe nuk mund të komentoj. Ajo çka mund të them është se investitorët do të vijnë në Shqipëri vetëm në rast se do të mund të jenë në gjendje ta mbajnë investimin e tyre. Nëse një nëpunës i shërbimit civil, apo një gjyqtar i korruptuar, jep një vendim i cili nuk është në përputhje me ligjet, atëherë kjo shkatërron gjithë reputacionin e Shqipërisë. Gjithashtu, kjo do t’i mbajë shtetasit perëndimorë larg Shqipërisë. Ata që paguajnë çmimin e kësaj do të jenë populli shqiptar, qytetarët e thjeshtë”, u shpreh ambasadori danez, Jensen.
“Sistemi gjyqësor, jo i drejtë”
Sipas Jensen, arsyeja që të huajt vijnë këtu është natyra e pashkatërruar. Por, nëse Shqipëria do ta transformojë bregdetin e saj në beton, shumë turistë nuk do të vinin më. “Të jeni të sigurt se kur ata e blejnë një apartament me pamje nga deti dhe u merret hapësira, do të thotë që ata nuk do të kthehen më në Shqipëri dhe nuk do t’u thonë investitorëve të tjerë shkoni atje dhe investoni. Ndërtimet e paligjshme janë një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Apo edhe sistemi gjyqësor, i cili nuk është në të gjitha aspektet e tij i drejtë. Ky përbën një problem shumë të madh për dëshirën e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë një magnet të turizmit”, u shpreh më tej ambasadori.
SARANDE/ SHPRESA DINE