Përplasjet në kupë, frikë nga aleancat

Ilir Shulku duke lexuar shortin
Skënderbeu mund të tolerojë kupën duke kërkuar favore në kampionat.
Tirana gjen Flamurtarin, korçarët ndaj Kastriotit.
Flamurtari-Tirana dhe Skënderbeu-Kastrioti janë dy çiftet e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Ndeshjet e para mes këtyre skuadrave do të luhen më 4 prill, ndërsa të kthimit më 18 prill.Goglat e nxjerra dje nga vazoja kanë përcaktuar dy çiftet, që më pas do të japin edhe finalistët e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në kampionatin shqiptar. Shorti ishte i lirë dhe mund të kishim pasur çdo lloj përballjeje, ndërsa spikat dueli mes bardhebluve dhe kuqezinjve të Shkëlqim Muçës, në të cilin tiranasit do të jenë pak më të favorizuar, pasi takimi i kthimit do të luhet në “Qemal Stafa”. Këto dy ekipe kanë luajtur një gjysmëfinale mes tyre në sezonin 1981-1982, ku që të dyja ndeshjet janë fituar nga Tirana (2-1; 2-0). Ndërsa sfida tjetër mes korçarëve dhe krutanëve nuk ka fare histori, përderisa Kastrioti luan për herë të parë në një gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Sakaq, shorti mund të cilësohet si “fatlum” për skuadrat që e shohin këtë trofe si të vetmin shans për një biletë në Europë. Flamurtari ka evituar, ndoshta me fat, Skënderbeun dhe Kastriotin në gjysmëfinale. Nëse do kishte përballë korçarët, për vetë rivalitetin që kanë dy klubet, do luhej një ndeshje e pastër dhe e fortë, ku vlonjatët do e kishin të vështirë kualifikimin për në finale. Nga ana tjetër, nëse do sfidonin Kastriotin, do cilësohej si një “finale” direkte për Europën. Janë dy skuadra që e shohin kupën si një shans të artë për në Ligën e Europës, edhe pse kanë mundësi për të kapur vendin e tretë në kampionat. Por, Flamurtari do përballet me Tiranën. Pavarësisht se bardheblutë janë ndër të paktat skuadrat që nuk janë përfolur për aleanca apo tolerime, fitorja e arritur prej tyre në Vlorë, mes duartrokitjeve të tifozërisë vendëse, konfirmon marrëdhënien mjaft të mirë mes dy klubeve. Gjysmëfinalja tjetër, ajo mes korçarëve dhe Kastriotit, duket se ka të njëjtin “skenar”. Ekipi i Levit, që e kishte deri diku me dy mendje kualifikimin për në këtë raund dhe që është i përqendruar maksimalisht te kampionati, mund të mos jetë aq “i fortë” në kupë, duke i dhënë kësisoj shansin Kastriotit që të kualifikohet në finale dhe të shpresojë për një “biletë” europiane. Në fakt, Kastrioti do e presë në shtëpi Skënderbeun në kampionat dhe mund të bëjë atë që korçarët “planifikojnë” në kupë. Pra, të mos jetë në maksimumin e forcave, duke qenë se në kampionat është larg asaj që pretendon realisht.
Tafaji
Drejtori Sportiv i Tiranës, Alban Tafaji, në reagimin e tij të parë pas hedhjes së shortit, pranoi se preferenca e Tiranës ishte përballja me Skënderbeun në gjysmëfinale. “Fiksimi ynë ishte të na binte Skënderbeu, për ta hequr qafe që në gjysmëfinale, por gjithsesi tashmë pak rëndësi ka. Cilado nga skuadrat që do të na binte, do ta kishim të vështirë. Jemi në një fazë delikate, ku flitet për turin gjysmëfinal dhe që mund të shpëtosh një sezon të tërë. Ky kompeticion ka rëndësinë e vet, dhe përballja me Flamurtarin do të jetë shumë e fortë. Vlonjatët kanë një skuadër të shëndoshë, sidomos pas përforcimeve që kanë bërë në janar”.Geri Çipi
Shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi, deklaroi dje se Flamurtari nuk pret dhurata nga askush. “Nuk presim dhurata nga Tirana. Ata kanë pretendimet e tyre dhe ne tonat. Do të luftojmë edhe në kupë, edhe në kampionat, me synimin e vetëm për të kapur Ligën e Europës. Sigurisht, Tirana është një nga ekipet më të forta të kampionatit shqiptar, prandaj aktualisht mban vendin e parë. Për ne është një duel goxha i vështirë. Nuk mund të them tashmë nëse është fat i mirë, apo i keq ky short për ne. Të tria ekipet që mund të na binin janë realisht shumë të vështira për t’u kaluar. Nëse dalim në finale, jemi të bindur që do e fitojmë”.Përmeti
Për shefin e klubit të Skënderbeut, Ilirjan Përmeti, përballja ndaj Kastriotit mund të cilësohet si e pranueshme, për vetë faktin se janë shmangur dy ekipe si Tirana dhe Flamurtari në gjysmëfinale. “Në fakt, nuk kishim ndonjë preferencë për shortin. Të tria ekipet rivale e meritojnë plotësisht këtë arritje, pasi janë ndër më të mirat e kampionatit. E vlerësojmë Kastriotin si një skuadër të fortë, por do të bëjmë të pamundurën për të arritur në finale. Ndeshjen e parë e luajmë në shtëpi dhe na duhet një rezultat i pastër. Ne si klub i duam të dyja, edhe kupën, edhe kampionatin”.Petro Kumi
Donatori kryesor i Kastriotit, Petro Kumi, u shpreh ndër të tjera se për skuadrën krutane do të ishte më mirë të luante ndaj Tiranës. “Të them të drejtën, preferenca jonë do të ishte të luanim me Tiranën. Kisha menduar se me këtë kundërshtar ndoshta mund të ishim më të favorizuar. Megjithatë, besoj se është një avantazh për ne që luajmë ndeshjen e parë ndaj Skënderbeut në Korçë. Të shpresojmë te një rezultat i mirë dhe më pas t’ia lëmë gjithçka ndeshjes së dytë që do ta zhvillojmë para tifozëve tanë. Sigurisht që e ëndërrojmë këtë trofe. Nëse shkojmë në finale, atëherë gjithçka do të jetë e hapur”.
LEONRAD KARAJ