Paloka: Grevistët, si kokrra e mollës
Deputeti demokrat, Edi Paloka, duke iu drejtuar kolegëve të vet të mazhorancës, u kërkon atyre të mos shqetësohen për shëndetin e grevistëve socialistë. Mos kini merak për grevistët e Partisë Socialiste se janë si kokrra e mollës, - tha ai gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme plenare. Sipas Palokës, nuk duhet të shqetësohet njeri për këta persona që kanë zgjedhur vetë këtë rrugë. Unë e kuptoj se duhet të jemi edhe tolerantë për dhimbjen njerëzore, por kur nuk e kanë vetë ata këtë hall, pse ta kemi ne? Le të jenë burrat që tu vijë keq për gratë e tyre kur pohojnë se po bëjnë dush poshtë zyrës së Berishës, - pohoi deputeti i PD-së. Ai ironizoi më tej me kauzën e opozitës duke pohuar se Skënder Gjinushi dhe Namik Dokle kanë dalë në shesh dhe u bëjnë thirrje shqiptarëve gjoja në emër të demokracisë. Ish-kryeredaktori i Zërit të popullit dhe ish-ministri i Arsimit të Enver Hoxhës na akuzojnë ne se gjoja nuk duam Evropën dhe ju thoni se neve na vjen keq për ata, po për kë të na vijë keq? Për dy fosile të vjetra që nga koha e komunizmit, të cilët nuk po flisnin me nota aq të dhimbshme për ju sa çpo flisni ju për ta, - përfundoi Paloka.