E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagojnë sindikatat: Greva po shkatërron frymën sindikale në vend

Sindikatat e Pavarura të Transportit, Arsimit, Shëndetësisë, Energjitikës, Bujqësisë dhe Naftës kanë shprehur dje keqardhjen për keqpërdorimin e protestës së Partisë Socialiste nga disa kolegë të tyre për qëllime politike. Në emër të këtyre sindikatave, Gëzim Qato, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Transportit, deklaroi dje se fryma sindikale në vend rrezikohet së tepërmi nga fakti që një sindikatë, konkretisht Sindikata e Minatorëve atashohet në një protestë me karakter politik. Ne jemi kundër këtyre protestave, sepse sindikatat dalin në greva për shkaqe ekonomike, kjo është një grevë politike, - deklaroi z. Qato. Sipas tij, fakti që kjo sindikatë është kapur duke paguar njerëzit që të shkojnë në protestë është dëmi më i madh që i bëhet sindikalizmit shqiptar. Njerëzit duhet të shkojnë me shpirt në protestë, jo me para. Ne kurrë nuk kemi bërë diçka të tillë. Fakti që tashmë një sindikatë del në protesta me karakter politik është një dëm për sindikalizmin. Sindikatat janë shprehur kundër protestave të këtij lloji në vend, duke bërë thirrje publike që të mos keqpërdoren qytetarët. Edhe opozita doli me parullën se protesta bëhet për shkaqe ekonomike, varfërinë, pagat e ulëta e të tjera, por në fund doli se gjithçka rrotullohej rreth hapjes së kutive. Kjo është e papranueshme nga ne, - tha z. Qato. Sindikata e Minatorëve i është bashkangjitur opozitës në protestën për hapjen e kutive. Pak ditë më parë, media të ndryshme botuan fotografi dhe video të kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, z. Fiqiri Xibri, duke shpërndarë lekë për protestuesit. Ky akt është cilësuar si goditje për frymën sindikale në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›