Sherr në grup, bie varianti i Ramës për disa greva urie
Disa greva urie njëkohësisht në disa rrethe të vendit. Kjo ishte ideja e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili e ka planifikuar ta vërë në zbatim që në ditët e para kur nisi greva e urisë në Tiranë, por që vetëm dje e ka hedhur për diskutim në një mbledhje të grupit parlamentar të PS-së. Siç bëjnë të ditura burime nga ky takim, që është bërë mes Ramës dhe deputetëve të tij mbështetës që janë aktualisht jashtë grevës së urisë, ka pasur debate të forta për këtë çështje. Si përfundim është lënë mënjanë zbatimi i një plani të tillë, i cilësuar nga disa deputetë si i pazbatueshëm dhe një rrugë që denigronte grevën e nisur tashmë në bulevardin Dëshmorët e kombit. Prej disa ditësh flitej se Rama do të organizonte greva të tjera dytësore brenda institucioneve lokale që drejtojnë socialistët ose në ambiente të tjera. Siç mësohet ai ska gjetur mbështetje në njerëzit e tij për ta bërë konkrete këtë ide.