E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: S’bëjmë aleancë me Topin, votoi Edi Ramën

TIRANE - Edi Paloka, pjesë aktive e PD-së që në krijimin e saj, vlerëson rolin e LSI-së në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit duke pranuar se pa votat e saj vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Por ai zbardh dhe një Plan B të PD-së: Nëse LSI nuk jepte votat, numrat do të bëheshin me deputetë të tjerë dhe kjo nuk ishte e pamundur. Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, anëtari i kryesisë dhe deputet i PD-së thotë se ndryshimet në qeveri ishin të detyruara për shkak të zgjedhjes së Bujar Nishanit në krye të presidencës shqiptare. Kur bëhet fjalë për pasuesin e tij në Ministrinë e Brendshme, z. Paloka shprehet se mund të ishte ai apo dikush tjetër, por vendimi i takonte vetëm Kryeministrit Berisha dhe ai gjykoi se Flamur Noka është emri i duhur. Sipas Edi Palokës duhen ndarë postet partiake nga ato ekzekutive ndërsa kujton se nuk duhen lënë pas dore militantët e PD-së. Anëtari i komisionit të ligjeve flet dhe për debatin e ripërsëritur të hapjes së dosjeve për të cilën ai bën të qartë se nga politika më parë duhet të largohen persekutorët dhe pas tyre ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Edi Paloka flet dhe për zgjedhjen e re të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme duke kujtuar modelin amerikan, atë të varësisë nga Kryeministria.
Z. Paloka, presidenca e re tashmë mban emrin Bujar Nishani, një zgjedhje kjo e dalë nga strukturat politike, por a është ky modeli më i mirë për një presidencë më të “fortë” dhe që qëndron mbi palët?
Së pari, duhet të kujtoj se kandidatura politike e z. Nishani erdhi vetëm pasi mazhoranca ofroi dy kandidatura të tjera jashtë politikës me qëllimin e vetëm që Presidenti i Republikës të zgjidhej me konsensusin e të gjitha partive politike në Parlament. Të dy kandidaturat e propozuara u vunë nën presion dhe shantazh prej opozitës e cila nga ana tjetër as nuk mendoi ndonjëherë që të bënte propozimet e saj për President. Duke qenë përballë një situate të tille, kur u bë mëse e qartë se qëllimi i vetëm i Ramës ishte bllokimi i procesit me shpresën se do të mund të të rrëzonte mazhorancën dhe të merrte pushtetin në tavolinë, mazhoranca bëri zgjedhjen e saj me z. Nishani, një President që edhe pse i dalë nga radhët e politikës, ka marrë mbështetje të gjithanshme, brenda dhe jashtë vendit. Edhe në Parlament pavarësisht numrit të votave, z. Nishani, nga 6 parti parlamentare, pati kundër vetëm PS-në dhe ajo duke mos votuar.
Së dyti, termi “presidencë e fortë” nuk më duket i përshtatshëm pasi Presidenti duhet të jetë “i fortë” në zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës dhe të respektojë politikisht vullnetin e shqiptarëve.
A ishte përcaktuese LSI-ja në zgjedhjen e presidentit të ri?
Sigurisht që për shkak të numrave por jo vetëm. LSI kishte rolin e saj të rëndësishëm në zgjedhjen e Presidentit. Ne kishim nënshkruar një marrëveshje me LSI-në që përpara bashkëqeverisjes dhe PD-ja i qëndron marrëveshjeve të saj. Të njëjtën gjë bëri dhe LSI-ja.
Por që nëse nuk do të ishte LSI, nuk zgjidhej presidenti dhe vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme?
Po, në rastin e presupozuar që LSI nuk do të jepte votën për Presidentin, sigurisht që do të shkonim në zgjedhje të parakohshme dhe kjo, e përsëris, jo për shkak të numrit të votave por për faktin se ne qeverisim në bazë të një marrëveshjeje me LSI-në dhe në rastin e prishjes së asaj marrëveshjeje do të ishte më e ndershme që ne të shkonim në zgjedhje se sa të bënim numrat me deputetë të tjerë, gjë që në fakt nuk ishte e pamundur.
Megjithatë, rrjedhja e votave duket se u shmang nga “kërcënimi” i z.Berisha për deputetët e PD-së se në rast se nuk votojnë Bujar Nishanin, do të shkonin në zgjedhje të parakohshme?
Nuk ka patur as deklaratë as “kërcënim” të z.Berisha lidhur me zgjedhjen e Presidentit sepse nuk ka patur as ndonjë dyshim që deputetët e PD-së dhe të mazhorancës do të votonin kandidatin për President cilido që të ishte ai, këto ishin dëshirat dhe ëndrrat e Ramës që reflektoheshin pastaj në media si të vërteta që mund të ndodhnin.
Si i shikoni ndryshimet e fundit në qeveri, të mjaftueshme?
Këto ndryshime erdhën si rezultat i zgjedhjes se z. Bujar Nishani President, pra në njëfarë mënyre ishin të detyruara për sa i përket Partisë Demokratike. Ndërsa LSI-ja ka qëndrimet e saj.
Po për sa i përket zgjedhjes së Flamur Nokës në krye të Ministrisë së Brendshme, ishte zgjedhja e duhur? Pse jo Edi Paloka por Noka në krye të Ministrisë së Brendshme, ose fundja dikush tjetër nga PD-ja?
Lidhur me emrin e z.Noka duhet të bëj të qartë dhe një herë se si në të gjitha vendet demokratike, mazhoranca e dalë nga zgjedhjet mandaton kryeministrin e saj i cili ngarkohet me ngritjen e kabinetit të tij. Pra i vetmi që duhet dhe bën zgjedhjen e ministrave është z.Berisha. Ai është dhe personi më i interesuar për mbarëvajtjen e punëve të qeverisë, kështu që unë besoj se z.Berisha ka bërë zgjedhjen që e ka konsideruar si më të mirën. A mund të isha unë apo ndonjë tjetër? Sigurisht që po, por vetëm një mund të bëhej ministër dhe zgjedhjen siç thashë më lart e bën Kryeministri Berisha.
Ka zëra se zgjedhja e Nokës është bërë për patur një ndikim të fortë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ku Ministria e Brendshme ka rol kyç në procesin zgjedhor. Sipas jush kjo është arsyeja e zgjedhjes së tij?
Nuk besoj se ka lidhje vendosja e një ministri kushdo qoftë me zgjedhjet parlamentare pasi ministri i Brendshëm i ka të përcaktuara qartë kompetencat e tij lidhur me zgjedhjet dhe PD-ja ka treguar se është rigoroze në qëndrimin e saj për zbatimin e ligjit ndryshe nga ajo që ndodhte përpara 2005 kur policia ishte personazh kryesor në manipulimet e zgjedhjeve.
A duhet të dorëhiqet z.Noka nga detyra e sekretarit organizativ të PD-së, dhe a mbështesni idenë e ndarjes së posteve partiake nga ato ekzekutive?
Çështja e ndarjes së posteve në parti me ato në ekzekutiv është një çështje që është diskutuar dhe diskutohet pikërisht sepse krijon problemet e saj. PD-ja ka mundësi dhe potenciale për të mos krijuar boshllëqe në marrëdhëniet me qytetarët si parti qeverisëse, por as me militantët e saj të cilët për asnjë moment nuk duhen lënë pas dore.
A duheshin bërë ndryshime të tjera në qeveri, përveç atyre që bëri LSI, flas për ministrat në PD? Besoni se PD-ja duhet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me këtë qeveri apo duhet një riformatim i saj?
Mendimin tim lidhur me ndryshimet në qeveri unë e kam shprehur disa herë, por siç thashë dhe më lart njeriu që gjykon dhe është më i interesuar për këto çështje, si për qeverisjen ashtu dhe për impaktin që ka në zgjedhjet e ardhshme është z.Berisha.
Presidenti Bamir Topi është shprehur se në PD ka individë që kanë shumë pushtet dhe kjo është një ndër arsyet e pakënaqësive brenda kësaj partie?
Bamir Topi nuk është në PD, ai ka partinë e tij dhe siç tha dhe ai vetë në një intervistë për futbollin, shumë shpejt do të marrë drejtimin e saj.
A ekziston mundësia e bashkëpunimit të PD-së me FRD-në e Bamir Topit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Besoj se lidhur me koalicionet, Bamir Topi e ka bërë zgjedhjen e tij që kur votoi për kryetarin e PS-së në zgjedhjet lokale.
E mbështesni kreun e shtetit Bamir Topi kur thotë se në politikë ka shumë ish-sigurimsa të shtetit? Mendoni se duhet të marrë fund shantazhimi me dosjet ish-sigurimsave duke i hapur përfundimisht ato?
Lidhur me bashkëpunëtorët e Sigurimit besoj se PD-ja ka qenë mjaft e qartë. I vetmi ligj që i ndalonte bashkëpunëtorët e Sigurimit të merren me politikë është përgatitur dhe votuar nga PD-ja, ligj që u abrogua pas ardhjes së PS-së në pushtet. Pas 2005 ne kemi bërë përpjekje për miratimin e një tjetër ligji, por që nuk ka pasur kurrë mbështetjen e PS-së. Sidoqoftë mendoj që nga politika në radhë të parë duhet të largohen persekutorët dhe pastaj bashkëpunëtoret e tyre. Sa për z.Topi, nuk di të ketë qenë ndonjëherë iniciator për ndonjë qëndrim të tillë, të paktën sa ka qenë në Partinë Demokratike.
Të vegjëlit e politikës janë vënë në rresht kundër dy partive PD-PS për reformën zgjedhore. Mendoni se ka ardhur koha që partitë e vogla të mos jetojnë më në kurriz të partive të mëdha?
Për sa u përket partive të vogla unë mendoj që secila duhet të këtë vendin e saj sipas votave që i japin qytetarët shqiptarë, por nuk mund të pranojë kurrsesi që duke përfituar nga numrat dhe ekuilibrat në Parlament partitë e vogla të luajnë rolin e atyre që përcaktojnë fatet e vendit apo të qeverisjes. Kjo do të ishte shumë e rëndë dhe sigurisht aspak e drejtë për askënd.
Ka nisur me konflikt rifillimi i punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore i cili mandatohet për herë të katërt nga Kuvendi për të zgjidhur çështjet e mbetura të kodit elektoral, deputetët janë ngecur sërish tek teknologjia. Por realisht çfarë përfiton PD-ja nga kjo reformë e re elektorale?
Edhe komisioni i reformës zgjedhore nuk po i shpëton sjelljes anormale të Ramës. Të nesërmen që Parlamenti i shtyn afatin e punës, njerëzit e PS-së urdhërohen nga Rama t’a bojkotojnë me justifikime absurde siç ishte ai i vërejtjeve që OSBE i kishte bërë me gojë në prani të të dy palëve, por nuk i paskësh bërë me shkrim. PD-ja qëndrimin e saj e ka bërë më se të qartë; do të pranojë dhe punojë mbi çdo rekomandim të OSBE-ODIHR. Në fakt, për PD-në edhe ky ligj është funksional dhe nëse PS-ja do të vazhdojë të bllokojë reformën, për ne nuk ka asnjë problem që të shkojmë në zgjedhje me këtë ligj. Kam përshtypjen se z. Rama si gjithnjë nuk është i qartë as vetë se çfarë kërkon apo synon të arrijë. Në se kërkon vërtetë të rregullojë Kodin Zgjedhor i ka të gjitha mundësitë të bashkëpunojë. Por, nëse mendon të bëjë shantazh siç e ka zakon duke shpresuar se do t’i japin pushtetin në tavolinë, këtë duhej ta kishte kuptuar me kohë se nuk e arrin dot. Rama e ëndërron marrjen e pushtetit në tavolinë si me magji. Ai shpreson që të ndodhe “mrekullia” dhe papritur, pa bërë fare zgjedhje, të gjendet kryeministër. Kjo sepse zgjedhjet i janë kthyer në obsesion dhe është bindur që me Berishën sa herë që të hyjë në zgjedhje është i humbur.
Në nëntor të këtij viti, zgjidhet edhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme. A do të ketë konsultime me opozitën për zgjedhjen e pasardhësit të Ina Ramës?
Pavarësisht mendimit tim se Prokuroria duhet në një farë mënyre të varet nga ekzekutivi, Kushtetuta jonë parashikon ndryshe. Në SHBA siç dihet Prokurori i Përgjithshëm është pjesë e ekzekutivit në njëfarë mënyre dhe kjo ka dhe logjikën e saj politike. Si mazhorancë ne ju kemi premtuar shqiptarëve luftë kundër krimit dhe kundër korrupsionit dhe kjo nuk mund të realizohet në një rast kur në emër të pavarësisë organi i akuzës në rastin më të mirë nuk i jep llogari askujt e në rastin më të keq bëhet vetë pjesë e asaj që duhet të luftojë. Sidoqoftë thashë që Kushtetuta jonë parashikon që Prokurori i Përgjithshëm propozohet nga Presidenti dhe votohet në Parlament dhe kështu do të ndodhë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›