E Enjte, 5 Nëntor 2026

Pampuri: Deklaratat në emër të grupit parlamentar të PD-së, janë të pavërteta

Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, njëkohësisht edhe deputete e kësaj force politike, u shpreh një ditë përpara votimit për kryetarin e ri të PD-së, se “deklaratat e bëra në emër të grupit parlamentar të PD-së, pa dijeninë e anëtarëve të grupit, nuk kanë vërtetësi“.

Sipas saj, nxitimi për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd dhe nuk e legjitimon asnjë vendim.

“Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt.“- deklaroi Pampuri.

Deputetja e PD-së nënvizoi se nesër, Partia Demokratike ka zgjedhje dhe ky është një vendim i miratuar nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar.

Sipas saj, mendimet dhe qëndrimet kundër mbajnë emër dhe mbiemër të çdo deputeti, por mllefet kolektive, nuk mund t’i atribuohen grupit parlamentar.

“Partia Demokratike është e demokratëve, deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet, dhe në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e frustrimet e brendshme të askujt, apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt.”- deklaroi Pampuri.

Çollaku: Kolegët të bëjnë deklarata në emër personal, jo në emër të gjithë Grupit

Për deklaratat në emër të grupit parlamentar të PD-së, ka reaguar edhe deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Sipas tij, keqpërdorimi i deklaratave në emër të Grupit Parlamentar duhet të ndalet, pasi në Grupin Parlamentar bejnë pjesë të gjithë deputetët e PD-së.

“Është fakt i njohur se brenda grupit për çështje të caktuara, që lidhen me zgjedhjet në PD ndajmë mendime e qëndrime të ndryshme.

Ështe krejt normale që kolegë deputetë individualisht apo në grup nominalisht, mund të shprehin qëndrimet e tyre. Por është jo korrekte dhe jo etike që në emër të Grupit të dalin deklarata që nuk përfaqësojnë gjithë grupin e që për më tepër nuk janë as diskutuar me të gjithë grupin. Duke qenë se kjo po bëhet një sjellje rutinë e perseritur, ju bëj apel kolegëve ti bëjnë të tilla deklarata në emër personal dhe jo në emër të gjithë Grupit Parlamentar të PD, si kusht për të ruajtur respektin reciprok dhe kohezionin e Grupit”- deklaron Çollaku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›