E Diel, 1 Nëntor 2026

Pamuk sulmon margjinalizimin e shkrimtarëve joanglishtfolës

Romancieri turk, fitues i çmimit Nobel për letërsi, Orhan Pamuk është ankuar se pjesa më e madhe e përvojës njerëzore është duke u injoruar për shkak se letërsia që e përshkruan atë nuk është e shkruar në gjuhën angleze. Nga Benedicte Page - The Guardian më 31 janar 2011 në ora 11:02

Pamuk e ka kritikuar përgjigjen e kritikëve britanikë dhe amerikanë ndaj veprës së tij, duke thënë se ata e perceptojnë atë në terma të ngushtë të definuar nga kombësia e tij.

Duke folur në festivalin letrar në Jaipur të Indisë, Pamuk, romanet më të njohura të të cilit, përfshirë “Unë jam e kuqja”, “Bora” dhe “Muzeu i pafajësisë”, janë shkruar në gjuhën turke, ka shprehur keqardhje për mbizotërimin e botës perëndimore mbi kulturën letrare.

“Shumica e shkrimtarëve në një festival si Jaipur shkruajnë në anglisht,” ka thënë ai. “Kjo është ndoshta për shkak se anglishtja këtu është gjuhë zyrtare. Por për ata që shkruajnë në gjuhë të tjera, vepra e tyre përkthehet rrallë dhe kurrë nuk lexohet. Aq shumë nga përvoja njerëzore është e margjinalizuar.”

Pamuk, i cili jep mësim në Universitetin Columbia, gjithashtu i ka akuzuar kritikët letrarë që vazhdimisht tentojnë ta ‘provincializojnë’ veprën e tij. “Kur shkruaj për dashurinë, kritikët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britani thonë se ky shkrimtar turk shkruan gjëra shumë interesante rreth dashurisë turke. Pse dashuria nuk mund të jetë e përgjithshme? Gjithmonë jam i prekur dhe i hidhëruar nga kjo përpjekje për të më kufizuar mua dhe kapacitetin tim për të përjetuar këtë humanizëm,” është ankuar ai. “Je i shtrydhur dhe i kufizuar, i vënë në një qoshe si shkrimtar, libri i të cilit konsiderohet vetëm përfaqësim i zërit të kombit të tij dhe pak si kuriozitet antropologjik.”

Shkrimtari William Dalrymple, drejtor i festivalit letrar të Jaipur-it, ka thënë se ‘nuk ka dyshim se anglishtja është gjuhë mbizotëruese në rritje dhe gjuhë perandorake’, dhe e ka quajtur ‘problem të madh’. Duke folur nga India derisa festivali po i afrohej fundit, Dalrymple ka thënë: “Madje edhe gjuhët tjera të mëdha europiane e kanë të vështirë të fitojnë një audiencë angleze për veprat e tyre. Anglezët janë shkëlqyeshëm të ngadalshëm dhe të parespektueshëm ndaj gjuhëve të tjera, dhe pjesërisht është e vështirë të gjesh shtëpi botuese amerikane që boton përkthime.” Dhe ai beson se botimi në anglisht është i nevojshëm për ekspozim global. “Romancieri i madh i Bengalit Sankar ka shitur më shumë se tre milionë libra, por ai tërhoqi më shumë vëmendje që në momentin kur u botua për herë të parë në anglisht, kur vetëm tri mijë kopje të romanit të tij ishin botuar”, ka shtuar ai.

Festivali i Jaipur-it, i cili këtë vit ka pasur më shumë se 50 mijë vizitorë, ofron një platformë për shkrimtarët që shkruajnë në gjuhë të pakicave, ka shtuar Dalrymple. “Ne kemi dashur të ndërtojmë një platformë ku romancieri tamil mund të takohet me një romancier nga Gujarati apo Bengali. Por, është një sistem i tërë i gjuhëve – për shembull, folësit tamil ndihen të shtypur nga hindusët”.

Botuesi Christopher MacLehose, një mbështetës për një kohë të gjatë i veprave të përkthyera dhe njeriu që për herë të parë e ka sjellë shkrimtarin suedez Stieg Larsson në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se “Pamuk ka pasur plotësisht të drejtë”. Ai ka shtuar: “Ekzistojnë 14 gjuhë indiane të përfaqësuara në festivalin e këtij viti të Jaipur-it. Sa lehtë është për këto gjuhë të përkthehen në një vend ku secili e flet anglishten më mirë se çdokush në këtë vend?”

Por, redaktorja letrare i The Guardian, Claire Armitstead e ka hedhur poshtë reagimin e Pamukut ndaj recensentëve të tij, duke thënë se romanet si “Unë jam e kuqja” dhe “Muzeu i pafajësisë” janë të rrënjosura në kontekstin e veçantë social dhe ka qenë ‘tërësisht e përshtatshme’ që kritikët të reagojnë mbi atë bazë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›