E Diel, 1 Nëntor 2026

Pamuk takim me Berishën: Unë kam gjak shqiptar nga gjyshja ime, nga ana e nënës Kryeministri Sali Berisha pret shkrimtarin e njohur turk Orhan Pamuk

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha priti sot, shkrimtarin e famshëm turk Orhan Pamuk, laureat i çmimit Nobel për vitin 2006. Kreu i shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë që priste shkrimtarin e mirënjohur, i cili me librat e tij është bërë një nga shkrimtarët më të njohur në Shqipëri, sepse ato përshkruajnë një botë dhe një psikologji shumë të afërt për shqiptarët. “Për disa shekuj, shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë Osmane personalitete të shquar, si Sami Frashërin, hartuesin e fjalorit të parë enciklopedik turk, Hasan Tahsinin, rektorin e Universitetit, Mehmet Akif, poetin e himnit kombëtar turk. Disa prej tyre ishin edhe formuluesit e ideve të shtetit të sotëm shqiptar dhe të aspiratave të tij europjaniste, si Sami Frashëri, Ismail Qemali, etj.”, tha Berisha. Nga ana e tij, Orhan Pamuk shprehu gëzimin që vizitonte një vend mik, shumë të dashur për të gjithë turqit. “Duhet të kisha ardhur më parë, sepse edhe unë kam gjak shqiptar nga gjyshja ime, nga ana e nënës”, u shpreh Pamuk. Ai u interesua për sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria. “Integrimi në BE, padyshim mbetet projekti ynë madhor, sepse, pavarësisht nga sukseset dhe përparimet e mëdha për të arritur kohën e humbur gjatë shekujve dhe diktaturës komuniste, vazhdimi i rrugës për në BE duhet të jetë një proces i bazuar në performancë dhe arritje reale”, nënvizoi kreu i ekzekutivit. Shkrimtari turk i dhuroi Kryeministrit Berisha romanin e tij të fundit, të botuar në shqip. Në takim merrnin pjesë edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë dhe botuesja e librave të Orhan Pamuk në shqip, Flutura Açka.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›