E Shtunë, 31 Tetor 2026

(Pa)mundësia konkurruese e opozitës Rama



Nga Nebil Çika

Duket qartë se mazhoranca e Berishës do të arrijë lehtësisht të fitojë një mandat të dytë qeverisës, fakt që tani e pranon edhe vetë e majta opozitare.Opinioni publik shqiptar po bëhet gjithnjë e më shumë i vetëdijshëm për pamundësinë e kësaj opozite për të marrë përsipër qeverisjen e vendit përballë mazhorancës më të suksesshme në këto vite të pluralizmit politik në Shqipëri.

Është qartësisht e kuptueshme mungesa e një alternative konkurruese nga e majta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë që po konkretizohet me mungesën e programit elektoral dhe përpjekjet paraprake për të krijuar një alibi për të justifikuar humbjen, siç është lufta brenda llojit. Nuk ka dyshime që e majta shqiptare ndihet e pafuqishme për të konkurruar një qeveri, suksesi i së cilës ishte pak i besueshëm në fillim të mandatit të 2005-s. Në mungesë të alternativës reale opozita ka zgjedhur dezinformimin publik për të mohuar çdo sukses të Shqipërisë së qeverisur nga Berisha, përpjekje këto donkishoteske të kthyera të gjitha në një bumerang politik e elektoral. Duket sikur PS-ja, partia kryesore e së majtës në opozitë ka ndaluar së funksionuari dhe opozita është marrë përsipër nga një lloj ndërmarrjeje apo komunikimi të drejtpërdrejtë midis kryetarit Rama dhe mediave pranë tij, gjë që e ka bërë butaforike opozitën institucionale që tani përfaqësohet vetëm nga retorika kakofonike e Erion Braçes. Falë lirisë së pakufizuar të shtypit baza e opozitës Rama duket se janë shpifjet nga më skandalozet, përpjekjet e vetme për të mohuar punën e qeverisë. Ne qendër të kësaj lloj opozite, sa destruktive aq edhe mashtruese, janë pa dyshim ato që z. Rama ose s’i ka, ose nuk i arrin dot. Ka qindra raste ku mund të konkretizohet kjo lloj opozite, por dua të qëndrojmë në momente të rëndësishme të zhvillimeve politike në këto katër vite të qeverisjes Berisha për të parë se çfarë ka ofruar Rama si alternativë. Integrimi euroatlantik si një arritje madhore e qeversë Berisha ka qenë ne qendër te sulmeve politiko mediatike të Ramës. Vizita e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, ka qenë pa dyshim një sukses historik i Shqipërisë edhe në mënyrë të veçantë i qeverisjes Berisha. Mirëpo mënyra se si u mundua ta zhvleftësonte opozita autentike e zotit Rama këtë moment, ishte sa e turpshme aq edhe skandaloze. Nëpërmjet mediave pranë tij z. Rama fabrikoi lajmin e turpshëm të “vjedhjes së orës së Presidentit Bush në Fushë-Krujë” një përpjekje e dëshpëruar e tij, natyrisht e pasuksesshme, për të zhvleftësuar këtë momentet historik me efekte përtej interesave politike partiake të mazhorancës. Një tjetër moment domethënës i opozitës Rama është pa dyshim mitingu i protestës në ditën historike të ftesës për anëtarësim në NATO të Shqipërisë. Akt politik më të turpshëm nuk besoj të këtë pasur ndonjëherë historia politike e këtij vendi. Por nuk mbaron me kaq, një nga aspektet më domethënëse të opozitës politiko-mediatike të z. Rama është pa dyshim fushata 4-vjeçare kundër familjes së Kryeministrit Berisha. Nuk ka dyshim që familja përbën thelbin e ndryshimit mes të djathtës dhe të majtës, mirëpo në rastin e zotit Rama familja e konsoliduar e z. Berisha përbën pa dyshim një problem më shumë se politik. Mjafto t’i krahasoni gjendjet familjare të të dyve për të kuptuar arsyet e vërteta të sulmeve deri në urrejtje që opozita dhe mediat e saj manifestojnë çdo ditë ndaj familjes se z. Berisha. Në fakt, nuk ka moment suksesi të qeverisë ku të mos jetë shoqëruar nga përpjekjet e pandershme për zhvleftësim të opozitës politiko-mediatike të z. Rama. Rruga Durrës - Kukës dhe krejt investimet në infrastrukturë, legalizimi i ndërtimeve pa leje, lufta kundër informalitetit në ekonomi dhe trafiqeve të paligjshme, garantimi i paimagjinueshëm i furnizimit me energji elektrike e të tjera arritje, njëherazi edhe premtime të mbajtura të qeverisë Berisha, janë shoqëruar me opozitën destruktive politiko-mediatike të zotit Rama, që duket se do të jetë edhe alternativa e ardhshme elektorale e partisë më të madhe të opozitës. Në këtë situatë na lind e drejta të besojmë se z. Rama as nuk mundet e as nuk kërkon të marrë pushtetin. Mungesa e alternativës dhe e vizionit politik e shoqëruar edhe nga spastrimet e planifikuara në PS në prag të zgjedhjeve parlamentare si dhe lufta me Metën për monopolin e të majtës shqiptare çojnë detyrimisht në përfundimin se Rama është më shumë i interesuar për kontrollin mbi PS-në dhe të majtën sesa për pushtetin politik. Kjo, por edhe shumë arsye dhe argumente të tjera besoj se janë të mjaftueshme për të kuptuar (pa)mundësinë e së majtës për të qenë një opozitë konkurruese.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›