E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, ligjet shmangin ndryshimet në Kushtetutë



Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin nëpërmjet të cilit Shqipëria pranon të bëhet anëtare e NATO-s. Përgatitja e procedurave të fundit ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë për anëtarësimin e vendit në NATO shmangu këtë herë një ndryshim eventual të Kushtetutës. Në nenin 12 të saj, Kushtetuta i jep të drejtë Kuvendit të lejojë kalimin e forcave të huaja ushtarake në territorin e Shqipërisë. Por, ekspertët gjetën dje si zgjidhje që me ligjin e miratuar në unanimitet, Kuvendi t’ia delegojë këtë të drejtë Këshillit të Ministrave, pa qenë e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta dhe për t’u dhënë siguri aleatëve në përmbushjen e menjëhershme të detyrimeve që rrjedhin nga traktati i Uashingtonit. Komisioni i Ligjeve miratoi dje paketën me 5 konventa që përbëjnë bazën ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unanimisht deputetët e Komisionit të Ligjeve miratuan këto konventa që parashikojnë detyrimet e vendit pas anëtarësimit të plotë të 4 prillit në NATO. Një nga këto konventa parashikon që Parlamenti shqiptar duhet të ratifikojë protokollin për të hyrë në NATO. "Shqipëria de fakto është një vend i NATO-s sot. Kanë mbetur pak procedura të vogla të cilat momentalisht janë dërgimi në Departamentin e Shtetit i instrumenteve të ratifikimit. Në këtë moment Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s dhe mbetet vetëm një procedurë e fundit, ndoshta më e thjeshta, ajo e miratimit të protokollit në Parlamentin shqiptar. Është akti i fundit i të gjithë akteve të tjera. Kështu që Shqipëria në datën 4 prill në Strasburg është anëtare e NATO-s", - tha Agim Fagu, drejtor për Çështjet e Aleancës në Ministrinë e Jashtme. Kjo paketë ligjore përcakton statusin e ri ushtarak të Shqipërisë brenda aleancës, së bashku me përfitimet dhe detyrimit e shtetit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›