E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama Kryeministër...?



“Mjaft të kujtojmë mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të kuptuar se çfarë metode qeverisjeje do të instalonte në qeverinë shqiptare një ngjitje atje e Edi Ramës”, - thoshte në një të përditshme Besnik Mustafaj, pasi kishte parë debatin për buxhetin e Bashkisë së Tiranës nga ku ai ndihej i trembur nëse kryebashkiaku do të bëhej Kryeministër.

Në fakt, pas turit “Dialog me Shqipërinë” dhe atij “Me Vullnetarët përtej së Majtës dhe të Djathtës”, duket qartë se z. Edi Rama po tenton më shumë rolin e tij si Kryeministër se atë të Partisë Socialiste në pushtet.

Gjithsecili që ka lexuar me vëmendje jetën politike të këtyre viteve të pluralizmit shqiptar, padyshim që nuk mund të ketë ngelur pa i rënë në sy se së fundi shumë nga figurat domethënëse të Partisë Socialiste janë eklipsuar në forma të ndryshme.

Tashmë vihen re portretet e reja të cilat kanë ardhur kryesisht nga radhët e bashkisë së kryeqytetit apo... të cilët kur e shoqërojnë kryetarin e PS-së, ndërsa shkon “gju më gju me popullin”, shpërndahen në turmë dhe nuk i rrinë në krahë.

Kjo pa dyshim në funksion të një skeme e cila dëshiron që vetëm lideri të jetë në qendër të vëmendjes publike. Vetëm lideri të jetë duke dëgjuar popullin. Vetëm lideri të dialogojë me ta dhe vetëm ai të jetë në vëmendjen e tyre!

Sigurisht që duke parë këtë panoramë domethënëse, gjithkush duhet të shqetësohet sadopak dhe t’i japë të drejtë frikës intelektuale të z. Besnik Mustafaj! Duket qartë që z. Edi Rama po i luan të gjitha kartat që nëse arrin në zyrën e Kryeministrit, të ketë sa më pak kokëçarje...

E thënë më thjesht, kjo do të thotë të ketë pushtet shumëplanësh. Pa dyshim që askush nuk mund të besojë që kjo skemë mund të çojë tek ajo e vjetra e diktaturës, por në mënyra më të moderuara, mund të jetë duke u tentuar një pushtet i padiskutueshëm të Kryeministrit të mundshëm Edi Rama...

Një konotacion me ish-diktatorin...

Duhet thënë që jeta publike dhe politike e z. Edi Rama përcjell disa konotacione negative. Një konotacion negativ për t’u theksuar të vjen ndërmend kur dëgjon shprehjet e tij në fushatë elektorale me vullnetarët të cilët janë përgjithësisht të rinj.

Ai Ben thirrje që të gjithë të bashkohen rreth tij (Partia Socialiste në jetën e tij publike është krejtësisht e eklipsuar) pa dallim feje, krahine, ideje apo të majtës dhe të djathtës. Strategji të ngjashme pa dallime feje, krahine dhe ideje, përveç faktit që të mblidheshin rreth pushtetit të popullit dhe më vonë të kllasës punëtore, ka ndjekur edhe Enver Hoxha për forcimin e pushtetit të tij individual në Shqipëri.

Hoxha, me marrjen e individëve të tipit “askushi” deri nga klasa punëtore dhe pa shkollë, duke u ofruar mundësinë e një shkolle të ndërtuar me ngut që quhej Shkolla e Partisë, realizoi skemën më eficiente për forcimin e pushtetit të tij individual.

Kjo ndodhi më saktë kur deklarohej se pushtetin e ka “kllasa punëtore”...! Të gjithë ata individë mund të jepnin edhe jetën për diktatorin i cili nga “askushi” i bëri me pushtet dhe të ndihen “dikushi” ndaj familjarëve dhe farefisit të cilët përfitonin të gjithë nga pushteti i ri kllasës punëtore!

Diktatori, duke e njohur mjaft mirë këtë zinxhir zhvillimesh, i lejonte ata “askushë” të përdornin pushtetin e tyre të dhënë prej tij dhe kjo bëhej sepse kështu të gjithë ata bëheshin më të ndërvarur ndaj pushtetit të tij personal.

Të gjitha arritjet individuale të atyre “askushëve” nga të cilat përfitonin familjet dhe farefisi vareshin vetëm në një pikë e cila ishte vetë diktatori dhe pushteti i tij i cili po të rrezikohej, mund të bënte që të gjitha të mirat e tyre materiale të zhbëheshin, zhdukeshin!

Askush në këtë botë nuk do që ato që ka tashmë, ndoshta edhe pa i merituar t’i humbë, ndaj ata me “thonj” e me “dhëmbë” kapeshin deri në pikën e fundit për të mos i lëshuar ato të mira të cilat po i gëzonin me aq epsh prej injoranti.

Të vetmit që mund të rrezikonin atë mbretëri të tyre injorante, ishin intelektualët të cilët për këtë shkak edhe persekutoheshin, eklipsoheshin, torturoheshin duke krijuar një skemë dyshe të kundërshtisë: Askushët kundër intelektualëve!

Diktatori kundronte këtë konflikt i paprekur deri në vdekje. Pa dyshim që ajo skemë ka qenë gjeniale dhe diktatori ynë nuk është se e shpiku vetë, ai vetëm e zbatoi duke ua kaluar ideatorëve të saj...

Edi Rama sot...

Sigurisht askush nuk i trembet më një diktature në Shqipëri dhe kjo, jo sepse nuk e dëshiron ndonjë individ, por sepse tashmë shoqëria jonë jeton një jetë shumë të hapur me veten dhe botën e lirë demokratike e cila ia ka ngushtuar kufijtë një mundësie të tillë.

Por trajtimi i ekstremiteteve vlen për të kuptuar më qartë dimensionet e sofistikuara të jetës së sotme politike dhe personalisht bashkohem me shqetësimin e z. Besnik Mustafaj. Po për ta mbyllur, shpresoj që më shumë se demokratët, këtë shqetësim të z. Mustafaj ta lexojnë socialistët dhe pastaj ata përtej së majtës dhe të djathtës...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›