E Hënë, 2 Nëntor 2026

Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, Rama pritet me ceremoni nga Meloni, pritet nënshkrimi i 16 marrëveshjeve të bashkëpunimit

Kryeministri Edi Rama është pritur me ceremoni zyrtare nga homologia italiane Giorgia Meloni, pak para nisjes së Samitit të parë ndërqeveritar Shqipëri-Itali.

Samiti do nisë punimet me një takim dypalësh midis Kryeministrit Giorgia Meloni dhe Kryeministrit Edi Rama, i ndjekur nga një seancë pune plenare me delegacionet përkatëse qeveritare.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, si një ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se kjo mbledhje do u hapë rrugë 16 marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit.

“MIRËMËNGJES dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Delegacioni shqiptar i cili shoqëron Kryeministrin Rama, përbëhet nga: Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali; Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu; Ministri i Financave Petrit Malaj; Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda; Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu; Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala; Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj; Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Ndërsa delegacioni italian përbëhet nga Ministrat Tajani, Piantedosi, Nordio, Crosetto, Gilberto Pichetto Fratin, Giuli, Schillaci, Musumeci dhe Nënsekretarët Freni dhe Ferrante.

Sipas gazetares së RTSH, Denada Shkodrani, agjenda e sotme do të nisë me takime bilaterale për të vijuar me një takim sy më sy mes Ramës dhe Melonit. Më pas do të Shkodrani theksoi se në marrëveshja kryesore e cila pritet të nënshkruhet sot, është bashkëpunimi strategjik në shëndetësi, energji, mjedis, siguri, mbrojtje, inovacion  dhe në zhvillim të qëndrueshëm.

“Rreth 15 memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi. Agjenda nis me takime bilaterale për të vijuar me një takim sy më sy me homologen Giorgia Meloni.

Dhe më pas do jetë takimi i mbyllur dhe dreka e punës mes dy qeverive. Kjo përbën një ngjarje të jashtëzakonshme dhe për rolin që Shqipëria pritet të luajë në arenën gjeopolitike.

Marrëveshja kryesore memorandumi bashkëpunimit- do nënshkruhet në prani të dy kryeministrave .

Marrëveshja kryesore është bashkëpunimi strategjik në shëndetësi, energji, mjedis, siguri, mbrojtje, inovacion  dhe në zhvillim të qëndrueshëm. Kjo do u çelë rrugën dhe marrëveshjeve të tjera”, deklaroi Shkodrani.

Gjatë takimit, sipas mediave italiane pritet që Rama dhe Meloni të trajtojnë edhe prioritetet kryesore në axhendën evropiane dhe ndërkombëtare, duke filluar me luftën në Ukrainë. Vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe mbështetjes së Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama udhëtoi një ditë më parë drejt Romës për të marrë pjesë në punimet e samitit që mbahet sot në Villa Doria Pamphilj.

Ky hap institucional tregon vullnetin e Tiranës për të institucionalizuar dhe forcuar marrëdhëniet me Italinë, partner strategjik tradicional. Mbledhja e përbashkët e dy kabineteve dërgon një mesazh të qartë të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, duke e kthyer atë në një agjendë të gjerë dhe të strukturuar bashkëpunimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›