Panairi “Slow Food” në Gjermani, Krifca: Prodhuesit shqiptarë më pranë tregjeve të sofistikuara ndërkombëtare

11 prodhues shqiptarë, që tashmë kanë krijuar markë me prodhimet e tyre autentike u prezantuan në Panairin “Slow Food 2023”, Shtutgart, të Gjermanisë si pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për promovimin e prodhuesve shqiptarë dhe zgjerimin e bashkëpunimeve në tregje të reja ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në panair, ishte një rast për të parë zhvillimin e prodhimeve shqiptare që nuk janë thjesht vetëm bujqësore, blegtorale, por vijnë të përpunuara si një cikël i plotë.
“Prodhuesit e vegjël shqiptarë vijnë për herë të parë në këtë Panair, të përfaqësuar nga rrjeti “Slow Food” që është një lëvizje e rëndësishme në Shqipëri dhe ka sjell rezultate konkrete me punët në komunitet në zonat rurale duke krijuar modele suksesi“, tha Ministrja Frida Krifca.
“Këto produkte ushqimi janë pasaportë e rëndësishme e traditës, cilësisë, shijes dhe ritualeve të territoreve më të thella të Shqipërisë nga jugu e deri në veri të vendit. Janë pikërisht këto prodhime autentike që po zgjojnë interesin dhe shtojnë vlerën e agroturizmeve lokale, po zgjerojnë kërkesën për eksporte dhe po inkurajojnë angazhimin e banorëve të këtyre zonave, për të shtuar prodhimin që është mjaft i kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj”, tha ministrja Krifca.
Krifca solli në vëmendje vizitën e ministrit gjerman të Bujqësisë dhe Ushqimit Cem Özdemir, në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar, i cili bëri një vizitë edhe në disa zona rurale të Shqipërisë.
Ministri gjerman u shpreh i impresionuar nga ajo çka pa në Shqipëri përmes rrjetit “Slow Food” dhe ishte kërkesë e Özdemir që Shqipëria të merrte pjesë në panairin ndërkombëtar në Shtutgart, ku prezantohen mbi 700 ekspozues nga e gjithë bota dhe shërben si një vendtakim i mundësive dhe bashkëpunimeve të mundshme mes pjesëmarrësve.
“Ne e shohim Gjermaninë si një partner të rëndësishëm të Shqipërisë drejt rrugës ambicioze për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Jam optimiste për partneritetin që kemi me ministrin Özdemir dhe vlerësoj mbështetjen e tij për Shqipërinë, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë. Kemi së bashku një plan veprimi me disa hapa konkretë që do të vihen në veprin nën asistencën gjermane. Ne do të kemi një atashe në rajon, i cili do të na ndihmojë të ndërtojmë këtë urë”, deklaroi ministrja Krifca.
Mnistrja ishte e pranishme me ftesë të posaçme të ministrit Federal të Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Özdemir, në Panairin “Slow Food 2023.
/rtsh.al/