Ndryshon manuali i çmimeve në ndërtim, Qeveria: Deklaroni pagat reale

Qeveria, në mbledhjen e fundit të saj ka hedhur një hap të rëndësishëm, duke firmosur vendimin për krijimin dhe funksionimin e sistemit të integruar për informatizimin e manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim.
Vendimi është propozuar nga zëvendëskryeministri dhe është miratuar nga anëtarët e qeverisë, duke i hapur rrugën botimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi menjëherë pas botimit në këtë fletore.
Por çfarë përmban ky vendim?
Deri tani kosto e ndërtimit ishte pjesë e manualit të çmimeve të një vendimi të vitit 2016, të përgatitur nga ish ministrja e Zhvillimit Urban të kohes, Eglantina Gjermeni, mbështetur në një ligj të vitit 1998, ndryshuar 6 herë deri në vitin 2013.
Në vijim, Këshilli i Ministrave ka kërkuar krijimin e sistemit të integruar të informatizimit të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim, i cili unifikon metodologjinë e llogaritjes e të formatit të paraqitjes së preventivave dhe situacioneve, si dhe të analizave teknike të çmimeve. Synimi i qeverisë është për të lehtësuar veprimtarinë e subjekteve publike apo private, si dhe për lehtësimin e kontrollit tekniko-financiar në fushën e ndërtimit.
Vendimmarrja vjen në një kohë kur debati për kostot e ndërtimit, fjala vjen të një kilometri të infrastrukturës rrugore apo edhe të një investimi tjetër në ndërtim, shkon deri tek korrupsioni dhe ryshfeti.
Por vendimi i fundit krijon edhe një vlerë shtesë, sidomos për të punësuarit në ndërtim, sepse qeveria iu kërkon subjekteve që punojnë me para publike në këtë sektor edhe shpenzimet e përfshira në strukturën e kostos në ndërtim.
Sipas Nenit 15 të VKM së miratuar në datën 13 Prill, Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos: shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën; shpenzimet për materialet; shpenzimet për transportin; shpenzimet për makineritë.
Shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagë duket se shkojnë te plotësimi i kërkesës së kryeministrit që këmbëngul për rritjen e pagave në sektorin e ndërtimit dhe e kushtëzon marrjen pjesë në tenderat publikë me elementin e deklarimit të pagës bazë dhe të shtesës mbi pagë. Ky informalizim e pagave në ndërtim pritet të sjellë më shumë transparencë në sektorin e ndërtimit, që perceptohet edhe si sektori që punon pak në parandalimin e pastrimit të parave.
Gazetar: Bardh Sejdarasi
/rtsh/