E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Krifca: 45 produkte shqiptare në panairin “Slow Food” në Shtutgard

“Në Shqipëri vitet e fundit “Slow food” po konsiderohet si filozofia e duhur e prodhimit, sipas së cilës rritja e treguesve ekonomikë duhet të kalojë domosdoshmërisht nga cilësia bazuar në traditat ushqimore të vendit, por edhe në ruajtjen e ekosistemeve mjedisore”.

Deklarata është bërë nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e pranishme në hapjen e panairit “Slow Food” në Shtutgard të Gjermanisë. 

Në fjalën e saj përshëndetëse zonja Krifca e vuri theksin tek fuqizimi i produktit shqiptar në tregun ndërkombëtar nëpërmjet certifikimit të produkteve tradicionale. Ajo tha se “Slow Food” tashmë është mbrojtësi kryesor i biodiversitetit në Mesdhe.

““Slow Food international është sot një nga lëvizjet më me ndikim në botën e prodhimit, ushqimit dhe mbi të gjitha mendimit. 37 vite më parë, kur nisi kjo lëvizje, pakkush besonte se do të bëhej kampion i prodhimit të qëndrueshëm dhe mbrojtësi kryesor i biodiversitetit në Mesdhe dhe më gjerë”, u shpreh ministrja Krifca.

Ajo evidentoi se, “Slow Food” në këto dekada ka ndërtuar një filozofi të re e cila ndikon në aspektin personal, kombëtar dhe global të marrëdhënies së shoqërisë sonë me ushqimin.

Ministrja tha se, “në Shqipëri vitet e fundit “Slow food” po konsiderohet si filozofia e duhur e prodhimit, sipas së cilës rritja e treguesve ekonomikë duhet të kalojë domosdoshmërisht nga cilësia bazuar në traditat ushqimore të vendit, por edhe në ruajtjen e ekosistemeve mjedisore”.

Zonja Krifca tha se Shqipëria ka filluar një përpjekje të rëndësishme për të identifikuar, njohur dhe certifikuar produktet e territorit.

Ajo tha se një pjesë të rëndësishme të tyre pjesmarrësit në panairin e Shtutgartit, mund ta gjejnë në pavijonin e Shqipërisë.

Në Panairin e Shtutgardit, marrin pjesë mbi 700 ekspozues, në më shumë se 20 000 metra katrorë, që kanë sjellë produkte të grurit, mishit, peshkut, frutave, perimeve, bimëve aromatike dhe mjekësore dhe sigurisht ëmbëlsirat. Gjithashtu këtu gjenden mbi 150 etiketa verërash dhe 50 prodhues të dedikuar. 

Stenda e Shqipërisë në këtë Panair ku prezantohen 11 prodhuese të talentuar ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë të cilët po shtojnë interesin për ta pare Shqipërinë në të gjitha dimensionet që ajo afron, gjeografik, të peizazhit e bukurive natyrore, ku padyshim gravitetin e tërheq kulinaria autentike tradicionale shqiptare.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›