Panairi i Karrierës në UPT, mundësi punësimi për studentët në sektorin publik e privat

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Ermira Isufaj/ Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi sot për të katërtin vit radhazi Panairin e Karrierës, një aktivitet që po kthehet në traditë të përvitshme.
Në Panairin e Karrierës së këtij viti, marrin pjesë 41 kompani, të cilat bashkëpunojnë në kuadër të intershipeve të ndryshme që studentët zhvillojnë në këto kompani, por edhe për ndërmjetësim me fokus punësimin e studentëve.
Nga 41 kompani, 10 janë të profilit Teknologji Informacioni, 20 kompani të profilit Mekanik dhe Elektrik, 6 kompani nga ndërtimi, arkitektura dhe gjeologji miniera si dhe katër institucione shtetërore (Bashkia, AKEP, DPSHTRR, Enti Kombëtar i Banesave).
Elfrida Shehu zv/rektore e UPT-së, u shpreh për ATSH se Panairi i Karrierës është kthyer në një traditë të përvitshme.
“Sivjet menduam ta bëjmë në fillim të vitit shkollor dhe jo në fund si vitet e kaluara, me qëllim që t’u japim mundësi sa më shumë studentëve dhe kompanive për bashkëpunim. Ne sot kemi 41 kompani që marrin pjesë në këtë panair, në bazë të të interesit që vetë kompanitë kanë treguar. Kemi pasur kërkesa të kompanive edhe më herët të fushave që mbulojnë të gjitha profilet e studimit në UPT”, u shpreh Shehu.
Zv.rektorja theksoi se “interesi është i lartë sepse çdo vit në bazë të marrëveshjeve edhe panairit, janë mundësuar jo vetëm intershipe, por edhe punësime. Ne nuk mbetemi vetëm këtu. Sa herë që kompanitë kanë nevoja dhe interesa ne bëjmë njoftime dhe takime me studentët. Tre vitet e tjera kanë qenë shumë të suksesshme. Kjo ka shërbyer për të kuptuar çfarë nevojash ka tregu, që edhe ne t’i përshtatim kurrikulat sipas tregut”.
Romina Zaimi përfaqësuese e Bashkisë Tiranë tha për ATSH-në se “kemi dy projekte në bashkinë e Tiranës, Web Challenge dhe “Fillo me një ide”. E para është për fushat e Teknologjisë së Informacionit, ku të rinjtë, studentët duhet të krijojnë një faqe webi. Ndërsa, “Fillo me një ide” është që të rinjtë të sjellin një ide dhe projekti fitues vihet më pas në zbatim nga bashkia Tiranë”.
Gjithashtu, Zaimi bëri me dije se “Bashkia ka edhe shumë vende të lira pune të cilat janë paraqitur në kohë reale në faqen zyrtare të institucionit. Janë të gjitha vendet, kriteret dhe fushat ku aplikohet”.
Panairi i Karrierës shërben edhe për të forcuar lidhjen e universitetit me tregun e punës dhe jep përfitime të dyfishta si për studentët ashtu dhe për kompanitë.
Studentët kanë mundësi të njihen me ofertat e kompanive te punës pranë të cilave mund të kryejnë praktika profesionale, internshipe dhe të aplikojnë për punë. Ndërsa kompanitë duke njohur nga afër studentët, kanë mundësi të vlerësojnë potencialet e atyre që mund të rekrutohen nesër si punonjës pranë tyre.
Juliana Kepi, përfaqësuese e një banke të nivelit të dytë tha për ATSH-në se për të dytin vit radhazi janë bërë pjesë e Panairit të Karrierës ku nga studentët kanë interes të madh edhe pse banka është pak më e profilizuar në aspektin e punësimeve. “Studentët e interesuar, sjellin CV-të e tyre, intervistohen nga drejtoria jonë dhe në varësi të interesave si të kandidatëve dhe institucionit krijohen hapësirat e punës”, pohoi Kepi.
Qëllimi kryesor i këtij panairi mbetet krijimi i një ure lidhëse ndërmjet studentëve, të diplomuarve dhe industrisë dhe më gjerë.
Robert Kodra, drejtori i Drejtorisë së Komunikimit dhe Koordinimit pranë UPT-së, tha për ATSH-në se universiteti është në bashkëpunim me 120 kompani dhe biznese.
“Interesi i kompanive është shumë i lartë. Ne kemi interes që të çojmë studentët gjatë programit mësimor për praktika profesionale brenda kurrikulës së programit mësimor. Gjithashtu, në përputhje me kurrikulën e studimit t’i pozicionojmë studentët për praktikat profesionale, dhe finalizimi më pas me kontrata punësimi”, pohoi ai.
“Vitin e kaluar sipas analizave që kemi bërë të Alumnit, rreth 90% të studentëve janë punësuar. Ka edhe me vetëpunësim, me punësim në institucione shtetërore dhe në kompani private”, pohoi Kodra.
Gjatë Panairit të Karrierës, kompanitë prezantuan aktivitetin e tyre si dhe mundësitë që ato ofrojnë për praktika profesionale dhe punësim për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe zhvilluan diskutime me studentët e interesuar lidhur me mundësitë që ato ofrojnë për praktika profesionale dhe punësim.
Panairi i punës në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 16/a.f/