KOMENT – 10 vite më pas, Franca u bën homazhe viktimave të Bataclanit

PARIS, 13 nëntor /ATSH-AFP/ – Dhjetë vite më vonë, Franca përkujton sot sulmet xhihadiste të 13 nëntorit, të cilat lanë 132 të vdekur dhe më shumë se 350 të plagosur në Paris dhe periferi, me një ditë homazhe, hapjen e një kopshti kushtuar viktimave dhe në pritje të krijimit të një Muzeu-Memorial për Terrorizmin.
Shumë francezë e kujtojnë me tmerr atë mbrëmje vjeshte: rreth orës 21:20 të 13 nëntorit 2015, tre kamikazë shpërthyen eksplozivët e tyre pranë ”Stade de France” në Saint-Denis, në periferinë veriore të Parisit, ku po luhej një ndeshje futbolli Francë-Gjermani.
Një shofer autobusi u vra.
Pak më vonë, komandoja hapi zjarr mbi bare dhe restorante në lagjet e frekuentuara të kryeqytetit francez, Le Petit-Cambodge, Le Carillon, La Bonne Bière, Le Comptoir Voltaire dhe La Belle Equipe.
Në orën 21:40, një komando i fundit mbërriti në Bataclan, një sallë koncertesh pariziane ku po performonte grupi amerikan i rock-ut ”Eagles of Death Metal”.
Viktimat e para ranë në trotuar, pastaj personat e armatosur hapën zjarr brenda sallës.
Sulmi vazhdoi për gati tre orë, deri në ndërhyrjen nga forcat elitare.
Sulmet, e marra përsipër nga Shteti Islamik (ISIS), lanë 130 të vdekur, 90 prej tyre në Bataclan, dhe më shumë se 350 të plagosur.
Dy të mbijetuar nga Bataclan kryen me pas vetëvrasje duke e çuar numrin e të vdekurve në 132.
Presidenti Emmanuel Macron do të vizitojë secilin prej vendeve të sulmit.
– Vigjilenca mbetet e lartë –
”Situata mbetet nën vigjilencë të shtuar, në një kontekst ku kërcënimi terrorist është i lartë”, deklaroi sot ministri i Brendshëm Laurent Nunez në televizionin BFMTV dhe radion RMC.
“Gjashtë sulme janë parandaluar që nga fillimi i vitit”, shtoi ai.
Përkujtimi do të fillojë me një homazh për Manuel Dias, viktimën e parë të xhihadistëve, dhe për të plagosurit në sulmin në ”Stade de France” në Saint-Denis.
“Objektivi është të themi le të qëndrojmë të gjithë së bashku , le të nderojmë padyshim të vdekurit, por edhe forcën e Republikës sonë dhe kulturën tonë. Terroristët nuk fituan atë natë”, këmbënguli Arthur Denouveaux, një i mbijetuar i Bataclan dhe president i shoqatës së viktimave ”Life for Paris”.
Në Paris, ceremonitë janë planifikuar në çdo vend, nga tarracat e zymta në lindje të kryeqytetit deri në Bataclan, midis orës 12:30 dhe 14:30.
Përkujtimet do të transmetohen drejtpërdrejt nga ”Place de la Republique”, vendi ikonik i mbledhjeve të kryeqytetit, ku Bashkia e Parisit u bëri thirrje banorëve të shprehin respektin e tyre duke lënë një qiri, një lule ose një mesazh.
Një kopsht në nder të viktimave të 13 nëntorit do të përurohet më vonë sot pas Bashkisë, në zemër të Parisit.
“Kulla Eiffel do të ndriçohet me blu, të bardhë dhe të kuqe sapo të bjerë nata”, sipas Bashkisë.
“Katedralja Notre-Dame dhe kisha të tjera pariziane do të bien kambanat e tyre midis orës 17:57 dhe 18:02”, njoftoi Dioqeza e Parisit.
“Le të mos harrojmë asgjë”
Për François Hollande, presidentin francez në atë kohë, ceremonitë janë para së gjithash për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave.
“Është detyra jonë ndaj tyre. Le të mos harrojmë asgjë”, tha ai.
Salah Abdeslam, i vetmi anëtar i mbijetuar i komandove xhihadiste, u dënua në qershor 2022 në Francë me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht për pjesëmarrjen e tij në sulme.
Nëntë anëtarët e tjerë të komandove ose e hodhën veten në erë ose u vranë nga forcat e sigurisë.
Këto sulme i dhanë fund 2015-ës, një viti të shënuar nga një seri sulmesh xhihadiste në Francë: masakra në revistën satirike ”Charlie Hebdo” në Paris më 7 janar (12 të vdekur), vrasja e një oficeri të policisë bashkiake në periferi të Parisit më 8 janar, marrja peng në supermarketin ”Hyper Cacher” në Paris më 9 janar (4 të vdekur), vrasja e një nëne 32-vjeçare në një parking pranë Parisit më 19 prill dhe prerja e kokës së një drejtuesi biznesi më 26 qershor në Saint-Quentin-Fallavier (juglindje te Frances).
Më 21 gusht, një maroken që vepronte në emër të ISIS-it, i armatosur rëndë dhe që mbante një shishe me lëng të ndezshëm, plagosi rëndë një pasagjer në trenin Amsterdam-Paris përpara se të neutralizohej nga pasagjerë të tjerë, përfshirë dy ushtarë amerikanë civilë në pushime.
Një Muze-memorial i Terrorizmit (MMT) do të hapet në fund të vitit 2029 ose në fillim të vitit 2030 në Paris dhe do t’i kushtojë një pjesë të konsiderueshme të koleksionit të tij 13 nëntorit, me gati 500 objekte që lidhen me sulmet, kryesisht dhurime nga familjet e viktimave./ /f.k/ a.jor.