Universitetet e rretheve kërkojnë rritje të investimeve në infrastrukturë

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Shkencën zhvilloi sot një seancë dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2026” me universitetet publike të rretheve.
Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj kërkoi mbështetje për rritje të grantit të mësimdhënies, përmirësimin e infrastrukturës si dhe të projekteve.
Gjuraj tha se “Universiteti i Shkodrës është i vetmi pol i dijes në veriun dhe verilindjen e vendit. Nisur nga përvoja e vitit të kaluar konstatoj se ka një mospërputhje të asaj çka ne kërkojmë si drejtues të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe çfarë na jepet. I kërkoj këtij komisioni dhe kryetarit që sa i takon universiteteve të rretheve jo thjesht atij të Shkodrës, të kihet parasysh dokumenti i politikave 2030 që është miratuar që në mars të këtij viti dhe aty ka një sërë prioritetesh të këtij dokumenti që është një bazament i fortë që ne të përmirësojmë në çdo aspekt institucionet tona në të ardhmen”.
“Nëse flitet për ndërkombëtarizim, digjitalizim, profilizim rajonal, si dhe nëse flitet edhe për diasporën akademike, mendoj që ky buxhet duhet t’u vijë në ndihmë universiteteve të rretheve që të kenë mundësi të përmbushin objektivat e këtij dokumenti, që e cilësoj jashtëzakonisht të rëndësishëm”, tha Gjuraj.
Rektori Gjuraj tha se duhet të mbështeten më shumë programet e mësuesisë.
“Ndaj përmenda diasporën akademike, pasi ka nevoja të mëdha dhe kërkesa të shumta nga mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë të mund te certifikohen nga këto institucione dhe Shkodra është në gatishmëri të plotë dhe ka mundësinë për të bërë diçka të tillë. Granti i mësimdhënies vjet ka qenë 625 milionë lekë dhe u rrit me 4 milionë, shkoi në 629 milionë lekë. Këtë vit kemi kërkuar 700 milionë për mbulimin e pagave nga të ardhurat e Universitetit, që ne jemi të detyruar t’i përballojmë aktualisht. Të ardhurat e Universitetit janë 90-95 milionë, po për paga rreth 136 milionë, ne kërkojmë shtesë në grant”, nënvizoi Gjuraj, duke kërkuar rritjen e grantit të mësimdhënies.
“Së dyti, ky institucion, siç ju e dini, është i vjetër sa i Universiteti i Tiranës, nga pikëpamja moshore ne datojmë në 1957 – pavarësisht statusit që ka pasur që në krye të herës – dhe pastaj në ’91-shin u kthye në universitet. Ne kemi nevoja të mëdha për investime dhe përmirësim infrastrukturor. Kërkojmë zgjerimin e hapësirave, sepse kemi probleme të mëdha me godinat që janë të vjetruara. Ka programe studimi që rriten nga vit në vit me rritjen edhe të kërkesave të tregut, ka një rritje të numrit të studentëve në master, kemi edhe dy programe studimi në ciklin e tretë”, theksoi Gjuraj.
Ai bëri të ditur se “kemi kërkuar dhe kemi biseduar me Ministrinë e Arsimit dhe pushtetin vendor për të kaluar godinën e ish-spitalit Psikiatrik ose e ish-Senatoriumin në pronësi të Universitetit të Shkodrës që të ristrukturohen dhe të krijojnë mundësi për edukimin dhe Shkencat e Natyrës nisur edhe nga numri i lartë i studentëve në këtë degë”.
“Nevoja jonë për investime mund të marr përgjigje me një kampus universitar në Shkodër – ka vite që diskutohet për këtë kampus. Ka ardhur koha për të ndërtuar këtë kampus, që do të ishte një investim i jashtëzakonshëm dhe për të cilin ka ardhur koha ta kemi”, tha Gjuraj.
Rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Elvira Fetahu tha se “buxheti 2026 ka fokus kryesor rritjen e cilësisë në mësimdhënie, mbështetjen e studentëve dhe të kërkimit shkencor në Universitetin e Elbasanit dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e laboratorëve shkencorë”.
“Universiteti i Elbasanit ka pasur mbështetje nga Ministria e Arsimit për buxhetin në raport me disa zëra dhe kërkesa qoftë nga pikëpamja infrastrukturore – ne jemi në një proces investimi infrastrukturor për ndërtimin e një godine të rëndësishme për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike. Ky financim është bërë vjet dhe përfundon në 2026-ën. Jemi protagonistë dhe dëshmitarë të një rritje të kërkimit shkencor nëpërmjet fondeve që marrim nga AKSHI”, theksoi Fetahu.
Rektorja Fetahu tha se “duhet të nxisim cilësinë nëpërmjet financimit të kërkimit shkencor edhe nëpërmjet fondeve të huaja. Kemi shumëfishim të fondeve që marrim nga Bashkimi Europian për laboratorë, infrastrukturë dhe kërkim shkencor”.
“Universiteti i Elbasanit ka 93 programe studimi në ciklet bachelor, master dhe doktoraturë dhe pritet të studiojnë 8100 studentë në të gjitha nivelet e studimit. Vlera e projektbuxhetit 2026 është 1,8 milionë lekë”, tha Fetahu.
Kryetari i Komisionit, Luçiano Boçi tha se “kërkoj që zëri i universiteteve si institucione që i quajnë të pavarur, si institucione që luajnë një rol shumë të veçantë në shoqërinë shqiptare, të ngrihen në lartësinë e detyrës së tyre. Shqetësimi është që diploma e studentëve nuk vlerësohet ndërkombëtarisht. Pavarësisht se flasim për ndërkombëtarizimin së jashtmi nuk flasim për ndërkombëtarizimin së brendshmi. Në rastin konkret po japim panoramën dhe po themi që me këtë lloj financimi që është vit pas viti i përsëritur, sepse nuk ka rritje financimi, ne nuk presim rezultat tjetër ne po kërkojmë që të bëhemi bashkë me rektorët duke i inkurajuar ata që të parashtrojnë kërkesat”.
/k.s/r.e/a.f/