E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Panairi i Punës në Greqi, Rama: Derë e re komunikimi me diasporën, mundësi rikthimi në Shqipëri

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Më 2 mars në Athinë do të hapë dyert për shqiptarët që jetojnë në Greqi, Panairi i Punës, me moton: “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”.

Kryeministri Edi Rama përmes një videoje të shpërndarë sot në rrjetet sociale e konsideron këtë panair një “ftesë” në adresë të bashkatdhetarëve tanë në Greqi, për t’u njohur me perspektivën e kthimit të plotë a të pjesshëm me punë në atdhe, përmes panairit të parë të këtij lloji, i cili hap një derë të re komunikimi me diasporën për Shqipërinë 2030.

“Shqipëria hap kufijtë për kthimin e të rinjve dhe profesionistëve. Panairi i punës, “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën” shkon në Athinë më 2 mars, duke ofruar mundësitë më të mira për punësim e rikthim në atdhe. Bashkohuni me ne për të bërë një hap të rëndësishëm për karrierën, familjen, të ardhmen”, thuhet në videon e shpërndarë nga Kryeministri Rama.

Mesazhi u drejtohet të gjithë bashkatdhëtarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, që t’i bashkohen këtij panari për t’u njohur me punëdhënësit, pagat, programet e aftësimit dhe sektorët pararojë.

Gjatë panairit do të organizohen takime me sipërmarrje dhe agjenci shqiptare, panele diskutimi, networking dhe informacion nga tregu shqiptar i punës. “2 mars 2025, Technopolis Athinë, Shqipëria vendi juaj, mundësia juaj”, përfundon videoja.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›