E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli fiton festivalin e filmit në Prizren



Me mbylljen ditëve të zhvillimit të tij, festivali ndërkombëtar i filmit në Prizren, “Dokufest 2008” ka shpërndarë çmimet për më të mirët. Vendin e parë e ka zënë kësaj here filmi nga Izraeli “To See If I’m Smiling - Lir’ot Im Ani Mehayechet” (Të shoh a jam duke qeshur), i autores Tamar Yarom. Filmi fitues bën fjalë për historinë e disa grave veterane, të cilat u munduan që ta varrosin të kaluarën. Ato flasin e tregojnë detaje mbi kohën dhe përvojat e tyre kur ishin nën armë. Pra këto femra ishin ushtare.
Duket se filmat izraelitë e kanë bërë tashmë të tyren çmimin e festivalit të Prizrenit. Kujtojmë me këtë rast se gjithashtu, vitin e kaluar “Dokufest” është fituar nga një tjetër film i ardhur prej Izraelit, i cili titullohej “9 Star Hotel” (Hoteli me 9 yje). Edicioni i sivjetshëm ka qenë i shtati për “Dokufest”-in. Ai është hapur qysh më 4 gusht dhe ka shfaqur plot 139 filma, të cilat vinin nga 49 shtete të ndryshme. Projeksionet janë bërë në katër kinema të qytetit kosovar. Juritë ndërkombëtare kanë ndarë ehde disa çmime të tjera, ndërkohë që filmi nga Prishtina, “Dy rrëfime dashurie”, i autores Shota Bukoshi, është vlerësuar me çmimin e publikut.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›