Panairi i librit me 20 000 vizitorë
Edicioni i panairit në Prishtinë, i cili filloi me katër qershor të këtij viti, ka përfunduar të dielën në Prishtinë.
Sipas organizatorëve të tij, në këtë panair kanë marrë pjesë rreth 80 shtëpi botuese, numër ky i respektueshëm, sipas organizatorëve të tij, përderisa hapja e këtij panairi është transmetuar drejtpërdrejt nga RTK-ja, që është hera e parë në histori të Panairit.
Në një komunikatë për shtyp të Panairit, thuhet se numri i vizitorëve në Panairin e librit të sivjetmë ishte rreth 20 000, përderisa nuk kanë munguar edhe titujt e rinj.
Ishin rreth 1600 tituj të rinj që 80 shtëpitë botuese i promovuan në këtë panair, përderisa janë numëruar edhe 8000 tituj të tjerë.
Edhe pse nuk bëhet i ditur numri, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka paraqitur 10 titujt më të shitur të Panairit.
Lista e përbërë nga 10 autorë të njohur dhe të rinj, përderisa befason Albatros Rexhaj, i cili promovimin në Panairin e Librit në Prishtinë e bëri të premten, por arriti të jetë në vendin e tretë për librin më të shitur.
Në vendin e parë në këtë panair ishte libri “Kosova, 1-3” e autorit Jusuf Buxhovi, i dyti ishte Adnan Merovci me librin “Në hap me Rugovën”, i treti Albatros Rexhaj me “Bombë në Beograd”.
Ndryshe, panairi i sivjetmë u nderua me pjesëmarrjen e ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes dhe kryetari i Parlamentit të Kosovësk Jakup Krasniqi, i cili vizitoi Panairin në një nga ditët e tij, ku edhe nënshkroi tetë nga titujt e tij të botuar.
Panairi sivjet priti edhe mysafirë të ndershëm siç janë shkrimtarët Amik Kasoruho, Ridvan Dibra, Mira Meksi, Uran Butka, Visar Zhiti, Flutura Açka, Agron Tufa, Miranda Haxhia, Enver Bytyçi etj.
Po ashtu, ky panair kaloi edhe në shenjë të 100-vjetorit të shtetësisë shqiptare, përderisa kjo ishte më e theksuar në stendën e bukur të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
Ndërkaq, apelit të botuesve për ulje çmimesh në 20 për qind i janë përgjigjur shtëpitë botuese, të cilat në disa raste kanë liruar deri në 50 për qind tituj të caktuar.
Panairi i sivjetmë është ndihmuar nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve dhe Departamenti për Kulturë i Komunës së Prishtinës.
Në fund, drejtuesit e Panairit kanë falënderuar në mënyrë të veçantë mediat, edhe pse për këtë kanë pasur kritika, që sipas tyre, informimi ka mundur që edhe shkrimet të jenë më profesionale, duke thënë “të mos merren me çështje thuaja periferike, por me Panairin, sepse ai sa është yni, është i lexuesve, është i juaji, i mediave, pra”.
TOP - 10 librat më të shitur
1. Jusuf Buxhovi: KOSOVA, 1-3
2. Adnan Merovci: NË HAP ME RUGOVËN
3. Albatros Rexhaj: BOMBË NË BEOGRAD
4. Blerim Shala: LIBRI I FITORES, 1-2
5. Visar Zhiti: FERRI I ÇARË
6. Orhan Pamuk: MUZEU I PAFAJËSISË
7. Elvira Dones: LUFTË E VOGËL E PËRKOR
8. Ben Blushi: SHQIPËRIA
9. Adem Demaçi: GJARPINJTË E GJAKUT
10. Elif Shafak: DYZET RREGULLA TË DASHURISË