Hana Cakuli kthehet në muzikë me këngë të Pirro Çakos
“Kënga ‘Unë vendos’, është forca të cilën dua t’ua transmetoj femrave”
Këngëtarja Hana Cakuli, e cila qysh në paraqitjen e parë ka treguar stilin e saj të veçantë, vazhdon të realizojë këngë origjinale, përcjellë me mesazhe të bukura artistike. E lindur dhe rritur në Ulqin, ajo ka zgjedhur të jetojë në Prishtinë, ku po ndërton karrierën e saj muzikore, krahas asaj në ekonomi. Së fundmi, ajo ka publikuar videoklipin e këngës ‘’Unë vendos’,’ nëpërmjet së cilës dëshiron t’ua transmetojë femrave në përgjithësi forcën për të vendosur për veten e tyre.
Si dhe pse e zgjodhët muzikën?
Që nga fëmijëria e ndieja që këndimi më bën të lumtur, dhe e kuptova fillimisht vetë që kam talent. Pak më vonë, në shkollë fillore mora edhe aprovimin e profesorëve të muzikës për talentin tim. Përveç studimeve dhe punëve që bëj sot, muzikën do ta kem gjithmonë të pranishme. Është ajo që më përmbush më së shumti.
Ndaj kujt jeni më së shumti falënderuese për karrierën që keni sot?
Familja është ajo që më ka ndihmuar, si në hapat e parë edhe vazhdimisht më ndihmon maksimalisht. Janë familja ime me të cilët konsultohem më së shumti, më japin ndihmë morale, po ashtu edhe ndihma të tjera materiale dhe fizike të nevojshme për arritjen e qëllimeve të mia muzikore.
Cili është mesazhi që mundoheni ta përcillni nëpërmjet muzikës suaj?
Varet nga tema e këngës. Mendoj se tekstet e këngëve janë shumë të rëndësishme dhe kanë fuqi të madhe te dëgjuesit. Prandaj, cilindo mesazh që e dërgoj, mundohem të jem e kujdesshme dhe sa më pozitive për çështje sociale.
Si jeni ndjerë kur e keni dëgjuar këngën tuaj të parë duke u transmetuar në radio?
Jam ndjerë shumë krenare dhe e lumtur. E kam ndjerë sesi ëndrra më është bërë realitet, ka qenë shumë emocionuese, madje edhe tani që e kujtoj emocionohem.
Pak kohë më parë, keni publikuar videoklipin e këngës ‘’Unë vendos’’. Na flisni më shumë për realizimin e këtij projekti...
“Unë vendos” e kam punuar bashkë me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov. Pirro ka bërë tekstin dhe melodinë. të cilat i ka qëndisur mu ashtu si ia kam kërkuar, kurse Darko ka bërë punën e tij fantastike si producent, të cilën e ka qëlluar në shijet e mia po ashtu edhe të Pirros. Me e rëndësishmja që dua të them për këngën “Unë vendos”, është forca të cilën dua t’ua transmetoj femrave në përgjithësi: ne mund të vendosim për veten tonë, e kemi fuqinë dhe aftësinë.
Cili është momenti më i bukur që u ka falur skena deri më tani?
Momenti më i bukur në përgjithësi është kur dëgjoj publikun duke kënduar bashkë me mua këngët e mia. Është rrëqethëse.
Nga gjithçka që keni në jetë, çfarë çmoni më së shumti?
Dashurinë mes meje dhe njerëzve që bëjnë pjesë në jetën time.
Cili është këngëtari/ja që ju vjen në mend më së pari dhe pse pikërisht ai/ajo?
Beyonce Knowles. Është një këngëtare që mendoj se ka bërë revolucion në muzikë, si në këndim ashtu edhe kërcim. Përveç kësaj, kohët e fundit më pëlqen jashtëzakonisht shumë mesazhi i saj i këngës “Who run the world”, që pak a shumë përputhet me mendimet e mia.
Cila është thënia që ju inspiron më së shumti?
“Ec me kohën”, e cila nuk e ka veç elementin e kohës si orë, por edhe shumë elemente tjera të thella brenda vetes.
Jeni nga Ulqini, ndërsa ka vite që jetoni në Prishtinë. Si e keni përjetuar largësinë?
Jam tip që adaptohem shpejt, bile më pëlqejnë ndryshimet. Kështu që ardhja në Prishtinë ka qenë diçka pozitive për mua. Pavarësisht mallit për prindërit dhe gjithë familjen time në Ulqin, gjysma e familjes që kam edhe këtu, pak a shumë më përmbushin atë pjesë.
Ka qenë kjo verë periudhë e ngarkuar me performime për ju?
Vera në fakt ka qenë pushim total nga muzika. Ka qenë një verë e udhëtimeve nëpër Europë dhe pushimit në bregdetin ulqinak. Kjo më është nevojitur pas muajsh të tërë pune dhe këndimi.
Me çfarë jeni e angazhuar aktualisht?
Vitin e fundit të studimeve për Menaxhim dhe Politika Publike; së shpejti do të filloj punën si koordinatore e eventeve kulturore në Universitetin Amerikan në Kosovë; ka shumë projekte anësore tërheqëse të cilat janë në zhvillim e sipër; dhe po performoj live nëpër lokalet e Prishtinës, së shpejti edhe Tiranës.
Planifikoni të merrni pjesë në ndonjë festival këtë vit?
Jo. Dua të fokusohem te videoklipet.
Cili është hapi i radhës në karrierën tuaj?
Jam në bisedime e sipër, por besoj që gjatë dimrit do të dëgjoni e shihni diçka të bukur.