E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i librit në Ulqin në edicionin e nëntë

18/07/2009  Në qytetin e Ulqinit do të organizohet panairi tradicional i librit “Ulqini 2009”. Organizatorët kanë menduar që këtë vit panairi të mbahet më 27 korrik–2 gusht. Mbështetur nga komuna e Ulqinit, nën kujdesin e kryetarit të saj Gëzim Hajdinaga, panairi i sivjetëm është i pari që çel veprimtaritë me librin në stinën verore, për t’u hapur rrugë më pas gjatë muajit gusht edhe panaireve të librit në qytetet e Jugut të Shqipërisë, si Vlorë e Sarandë. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.

Mbi 60 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.

Në panair parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. do të paraqiten para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj.

Të ftuarit e veçantë

Nëse në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dyja vendeve etj., këtë vit, në edicionin e 9-të të tij, të ftuar të veçantë dhe në qendër të vëmendjes së publikut bashkë me veprën e tyre do të jenë akademikët Ali Aliu nga Maqedonia, Shefkije Islamaj nga Kosova dhe Andreji Nikolaidis, shkrimtar, romancier, kritik e eseist nga Mali i Zi. Mbrëmja e ditës së dytë të panairit do t’u kushtohet ekskluzivisht atyre dhe kontributit që kanë me veprën e botuar dhe veprimtarinë akademike. Për këto figura do të flasin gjerësisht studiuesit Piro Misha e Basri Çapriqi, si dhe Fatmir Toçi si botues dhe njëri prej organizatorëve kryesorë të këtij manifestimi. Ndërsa në ceremoninë e çeljes do të jetë të ftuar të veçantë dy presidentët e vendeve fqinje: Bamir Topi dhe Filip Vujanoviq.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›