Panairi i librit7 mbrëmje nëshëtitoren e Vlorës
VLORE- Pas Ulqinit botuesit, bashkë me librat e tyre do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku në periudhën nga 12 - 18 gusht 2010 do të ekspozojnë punën e tyre për 7 mbrëmje rrjesht në shëtitoren e Skelës, pranë Lulishtes simbolike të Shkrimtarëve. Rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, 5000 tituj të ekspozuar, nga të cilët rreth 600 të rinj, një numër i madh krijuesish të njohur e të rinj, vlonjatë dhe nga e gjithë bota shqiptare, janë disa nga treguesit e këtij panari, i cili do të mbahet për të njëmbëdhjetën herë në kryeqytetin e turizmit shqiptar. Organizatorët, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Bashkia e Vlorës, mbështetur edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës, Biblioteka "Shefqet Musaraj"e qytetit të Vlorës, Shoqata "Labëria", Qendra Kulturore Think, Shoqata Kulturore Atdhetare "Ismail Qemali" etj. janë optimistë për interesimin e lexuesve vlonjatë dhe pushuesve të shumtë. Ndaj dhe numri i botuesve pjesmarrës në Vlorë është gjithmonë më i madh se në qytetet e tjera ku bëhen veprimtari të tilla të ngjashme. Panari do të jetë i hapur çdo ditë në datat 12 - 18 gusht, nga ora 18.00 - 24.00. Një ceremoni në formën e një programi muzikor, e paraprirë nga një program i veçantë artistik do ta çelë në orën 21.00 panairin e librit, me praninë e një numri të madh të ftuarish, njerëz të kulturës, krijues dhe të administratës shtetërore, si dhe të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika, nën kujdesin e të cilit do të organizohet ky eveniment. Të ftuar të veçantë në ceremoninë e çeljes së këtij edicioni do të jenë edhe akademiku Arben Puto, si dhe z. Bajram Kosumi, ish-kryeministër i Kosovës. Në Panairin e librit në Vlorë parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme etj.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)