E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Meta s’kastrategji po bën pazare

TIRANE- Nënkryetari i grupit parlamentar të PS- së, Eduart Shalsi i është përgjigjur dje, akuzave të LSI-së. “Nuk kemi të bëjmë me politika apo me strategji bazuar mbi parime, por kemi të bëjmë thjeshtë me interesa të bazuara mbi pazare”, deklaroi, dje, Shalsi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Sipas tij, drejtuesit e LSI-së, ose janë keqdashës, ose injorantë, sepse nuk po shikojnë ndryshimet që ka pësuar Tirana në këto vite të drejtimit të Bashkisë nga Edi Rama. I pyetur në lidhje me propozimin e Metës, për një reformë zgjedhore gjithpërfshirëse, Shalsi tha se kjo nuk mund të bëhet pa transparencën e zgjedhjeve të shkuara.
Zoti Shalsi, ditët e fundit, drejtues të LSI-së kanë shprehur një sërë pretendimesh për fitore në zgjedhjet vendore, ndërkohë që ka patur edhe kritika në drejtim të PS-së. A keni një koment për to?
Dikush, një anëtar i LSI-së më solli disa materiale dhe po lexoja se çfarë kishte thënë Luan Rama për Ilir Metën ca kohë më parë. Këtë ma solli ky njeri, që meqë nuk është punësuar nga LSI tani po gjen se çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon. Seriozisht them që këto njerëz apo drejtues nuk janë për tu marrë seriozisht. Ndaj unë s’dua të bëj asnjë koment, veçse të thoja që vështirë t’i besohet një njeriu që lëpin ato që ka pështyrë më para dhe nuk ka se si të merret seriozisht. Nuk ka se si të merren seriozisht njerëz, me qëndrime kaq kontradiktore brenda një kohe kaq të shkurtër. Nuk kemi të bëjmë me politika apo me strategji bazuar mbi parime, por kemi të bëjmë thjeshtë me interesa të bazuara mbi pazare.
Një nga akuzat është edhe ajo e bërë nga LSI se lidershipi socialist vazhdon të mos ofrojë më alternativa edhe në drejtim e bashkisë së Tiranës...?
Fatkeqësisht këta njerëz asnjëherë ose nuk kanë dashur ta kuptojnë, ose nuk e kuptojnë; pra ose nga injoranca, ose mosdashja nuk arrijnë të shohin atë që është evidente. Tirana tashmë është futur në hullitë e një kryeqyteti evropian, me strategji për një zhvillim të qëndrueshëm, me strategji për ta shndërruar qytetin në një kryeqendër moderne evropiane. Megjithë pengesat, bllokimet shantazhin e vazhdueshëm nga PD dje, dhe sot nga PD e LSI, Tirana vazhdon drejt rrugës së projektuar me një standart evropian. Kushdo që flet nga kafenetë e qendrës, bën mirë të shëtisë edhe periferitë e Tiranës, bën mirë mirë të shohë se si po transformohen edhe blloqe të tëra banesash në periferi; nga Kombinati, Lapraka, Allias, Kodra e Priftit, Ali Demi, të shohë me sy se si po transformohet qoftë infrastruktura; rrugët, trotuaret, ndriçimi ashtu edhe shkollat. Cilido që ka folur deri tani nga këto pesonazhe për çështjet e Tiranës, më së paku është keqdashës, më së shumti është injorant. Të dalin në terren dhe të shohin se sa ka ndryshuar Tirana. Kam frikë se njërit nga këta që flet për problemet e Tiranës, po t’i mbyllësh sytë dhe ta çosh në ndonjë lagje të Tiranës, do të habitet kur t’ja zgjidhin dhe nuk do të arrijë të dallojë se në ç’qytet do jetë.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka propozuar që të bëhet një reformën zgjedhore gjithpërfshirëse që do të thotë që të përfshihen të gjitha partitë, dhe jo vetëm PS e PD. Si e shikoni këtë propozim nga kjo parti?
Ajo është një çështje, e cila natyrisht vlen për tu diskutuar. Por, ajo që ne po përqendrohemi vazhdimisht dhe thellësisht, në këto momente është gjithçka do të ndodhë me transparencën e zgjedhjeve të kaluara, sepse në fund të fundit edhe Kodi Elektoral nëse do të rishikohet, duhet të bëhet në kushtet kur të ketë një hetim apo një investigim të hollësishëm të asaj se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Ne duhet të zbulojmë të gjithë bashkarisht se çfarë është bërë me qëllim, çfarë pa qëllim, në mënyrë që të projektojmë ndryshime adekuate të Kodit dhe jo ndryshime për interesa partish, ndryshime për interesat e qytetarëve.
(Intervista eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›