Panairi i qershive në Dibër
Ka mbaruar për fshatin shqiptar koha e “Nafijeve”
Të premten dhe të shtunën, me 5 dhe 6 qershor 2009, në qendër të qytetit të Peshkopisë u zhvillua panairi rajonal i bujqësisë dhe agrobiznesit i quajtur Panairi i Qershive. I pesti panair rajonal bujqësor që organizoi për këtë vit Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me mbështetjen e KASH-it, SNV etj., pas panairit rajonal të Fierit, Beratit, Elbasanit e Shkodrës. Kjo veprimtari u shndërrua në festë të vertetë për gjithë qarkun e Dibres. 103 fermerë, prodhues e agropëpunues nga rrethi i Matit, Bulqizës dhe i Dibrës kishin ardhë dhe ekspozonin prodhimet e tyre në sheshin kryesor të Peshkopisë. “Kjo po na bëhet festa kryesore tek ne”, thotë Naim Gazidede, kryetar i Qarkut Dibër. Sepse gjithë qyteti del ne panair, e viziton dhe blen prodhime të freskëta, prodhime vendi. Dhe po binden njerzit se prodhimi i vendit është i madh. Nuk ka festë tjetër që prek më shumë interesat e njerzve tek ne sepse Dibra ka aktivitet kryesor bujqësinë e blegtorinë dhe është rajon shumë i njohur për pemtore. Si të na përfundojë Rruga e Arbërit, vijon Gazidede, do ta bëjmë këtë panair vitet e tjera edhe në Tiranë se edhe në Tiranë kemi shumë Dibër. Ilir Krosi, kryetar i bashkisë thotë se edhe pse nuk është aktivitet i bashkisë, ne jemi bashkëorganizator dhe e çmojmë se nuk kemi veprimtari më të rëndësishme. Vetëm të bëheshin sa më shpesh këto panairet, vijon ai, se këto janë ditë që nderohet mundi dhe djersa e dibranëve, del në pah pasuria jonë. Sytë i plaçin o ministër atij që thotë se ushqehemi me produkte importi. Le të vijnë në Dibër të shohin qorrat se sa prodhim ka, i drejtohet ministrit të bujqësisë Jemin Gjana një fermer që ka ekspozuar qershi, luleshtrydhe dhe djathë. 80 përqind e asaj që hanë e pinë shqiptarët janë prodhime vendi, flet ministri Gjana. Por këto prodhime nuk i shohin dot se s’duan t’i shohin nga dritaret e zyrave në Tiranë as OJF-të, as ndonjë zyrtar a ndonjë gazetar. Aq më pak kolegët e opozitës që ende kujtojnë se veprohet sot sic vepronin ata dje që importonin edhe turshi nga Bullgaria sepse kishin interesa tregtare dhe nuk nxiste askush prodhimin vendas . Pse kanë patur vetë monopole të importit të ushqimeve, kujtojnë opozitarët e sotëm se janë edhe sot monopolet. 715 mijë ton perime u prodhuan në vend në vitin 2008, vetëm 16 mijë ton u importuan. Kaq konsumohet në vend. Vetëm 5 mijë ton rrush është importuar dhe janë prodhuar 154 mijë ton në vend, i shpjegon ministri Gjana atij fermeri dhe të tjerëve që i mblidhen pranë.
Konferenca e së premtës para panairit të qershive/Të premten pasdite me 5 qershor në sallën e madhe të pallatit të kulturës në Peshkopi u mblodhën mbi 300 fermerë dibranë, agropërpunues, përfaqësues të 12 drejtorive rajonale të bujqësisë nga gjithë qarqet e vendit. Maks Hajrullahu, drejtor i bujqësisë në qarkun Dibër foli për arritjet e prespektivat e bujqësisë në Dibër. Duken gati të pabesueshme shifrat e arritjeve. Për shkak se kjo qeveri e rajonizoi prodhimin bujqësor sipas kushteve, u bë e mundur që të krijohen shumë ferma të mëdha me nga 5 deri në 20 ha pemtore që rezistojnë dhe diktojnë në treg dhe Dibra të bëhet një ndër plantacionet më të medha të pemtoreve të vendit. U bë kanali ujitës Setë-Dardhë, Gram-Sohodoll, Lligja-Brezhdan, kanali i Klosit 22 km i gjatë i pa bërë për 30 vjet, u bë diga e shembur e rezervuarit të Bazit, kanali i Batres, rrjeti i Melanit, etj. U investua për kullime e argjinime në Muhur, Maqellarë, Gjoricë, Klos, Komsi, Suc, Fushë-Alie, Ostren, Tomin, Fushë Bulqizë etj. Dhe po punohet aktualisht për kanalet e Murres, Setë-Ostrush, Setë-Arras, Zall Rec, për rezervuarin e Kandrit etj.
Por para se të flasim për shifrat, ajo që e ndezi sallën e dominuar nga fermerët ishte fjala e ministrit Gjana. Me politikat tona i kthyem njerzit tek puna se për 8 vitet që vendi u drejtua nga socialistët u vra puna. U braktis bujqësia. Mbetën tokat djerrë. Dhe ishte krim të mbeteshin djerrë tokat e Dibrës që kanë qenë e janë hambari më i madh bujqësor i veriut të vendit. Sot Dibra po kthehet në identitet. Pemtore ngado. Vetëm 10 përqind e tokave arë në vend janë djerra dhe janë në ato rajone ku emigracioni është më i madh dhe njerzit nuk ndjejnë nevojë të punojnë tokat. Dibra s’len asnjë pëllëmbë toke djerrë. Sot arritjet në bujqësi janë të mëdha. Dhe këto arritje nuk janë realizuar vetë. Por nga puna dhe mundi i madh i fermerëve shqiptarë që punojnë 365 ditët e vitit. Dhe thonë se në fshat ka shumë papunësi. Mashtrim i madh. Në fshat nuk ka papunësi. Dhe forca kryesore e punës në fshat janë gratë, nënat dhe motrat tona. A nuk është punë apo punësim a vetpunësim kur një grua kujdeset dhe punon në arën e vet, rrit dhe mban bagëtitë në familjen e vet, siguron ushqim për familjen e saj. Të thuash se në fshat ka papunësi do të thotë të kërkosh kthimin e kooperativave socialiste, të kthesh komunizmin, të kthesh mendësinë se gjithë njerzit duhet të jenë e të bëhën kuadro, të punojnë e të kërkojnë vetëm punë zyrash, e mundësisht të synohet që të gjithë të hyjnë në punë në komitet… Jo. Sepse sot gjithkush është i vetpunësuar në fermën e tij, merr të ardhura dhe jeton nga ferma e tij. Ka mbaruar për fshatin shqiptar koha e “nafijeve”. Sot është koha e konsolidimit të dinjitetit të sejcilit individ që jeton në fshat dhe mban jetën e familjes së tij.
Me politikat bujqësore që kemi ndjekur këto katër vite, vijoi ministri Gjana, me ndërhyrjet në ujitje, ku për 7 kanale ujitje në Dibër dhamë 3.6 milionë dollarë në tre vjet, ose 5 herë më shumë se sa janë dhënë për 15 vjet, 1.3 milionë dollarë dhamë për kullim e argjinatura mbrojtje nga lumi, 800 mijë dollarë për tregjet në Peshkopi e në Lis, nga asnjë lek më parë, me mbështetjen direkte që i dhamë fermerit shqiptar, që shtoi 735 ha pemtore të reja për tre vjet dhe mori 18 mijë ton fruta sivjet ose 8 mijë ton më shumë se në 2005, me nxitjen e përkrahjen që i bëmë duke mos ia rrënuar mundin dhe djersën, me ndërtimin e akseve kryesore rrugore, ne si shtet, si qeveri aktuale, kemi arritur të ndërpresim njëherë e përgjithmonë braktisjen e fshatit shqiptar nga njerzit. Ende na duhet dhe pak punë që të bëhën rrugët dytësore dhe si të lidhet tregu me fermën direkt, askush më nuk do të ketë nevojën e askujt por njerzit që prodhojnë të mirat materiale do të bëhën më zotër se sa janë sot. Ne kemi dhënë 30 milionë dollarë subvencione për tre vjet. Gjashtë herë më shumë do të japim në mandatin tonë të dytë ka premtuar kryeministri Berisha. Dhe nuk ka asnjëherë fjalë të pambajtur nga Sali Berisha, vijoi ministri Gjana.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe kandidatët e rinj për deputetë të qarkut Dibër. Sherefedin Shehu dhe Selami Xhepa përshëndetën të pranishmit. Por ajo që la mbresa edhe në këtë sallë ishte prezenca e deputetëve aktualë të Dibrës, Sali Shehut dhe Rahim Kalecit, si dhe e kryekomunarit të Dibrës së Madhe me një përfaqësi të gjërë. Kufiri nuk na ndalon dot të jetojmë bashkë, të punojmë bashkë dhe të festojmë bashkë, u shpreh kryetari i Dibrës së Madhe, Argetim Flida.
E shtuna e panairit të qershive/E shtuna herët e gjeti qytetin në festë. Fermerët ishin gati me produkte të eskpozuara. Kërkoj prodhueset e jufkave, grupin e grave të Vakufit që në mënyrë të organizuar prodhojnë jufkat, produkt tradicional i rajonit. E kanë mbushur tregun dhe shesin në Tiranë e më gjërë këtë produkt. Kanë organizimin e tyre dhe mendohet se do të ndihmohen e do të konsolidohen si grup. Më kujtohen ato gratë e papunësuara në qytet dhe në fshat, dhe them t’i gjej e t’u them prodhoni edhe ju jufka si shoqet tuaja të Vakëfit. Apo ato të papunat duan të fillojnë punë në komitet…
Shumë flasin për Urim Tuken. Tani shpejt paska blerë edhe një hektar tokë me 33 mijë euro. Për ta zmadhuar fermën e tij 7 hektarëshe. Ai më thonë është prodhusi më i madh i luleshtrydhës në 5.5 dynim serë. Ka shumë qershi, mollë, kumbulla, ftonj në 7 hektarëshin e tij.
Por në këtë ditë të panairit bujqësor të Dibrës që e kanë pagëzuar me emrin panairi i qershive, shumë njerëz flasin për fermerin Bilbil Kryemadhi i cili ka 5 ha me qershia, për Vehib Salkurtin që ka 5 ha pemtore, për tre vëllezërit në Melan që kanë 15 ha pemtore dhe treg të sigurtë në Tiranë e Berat, të cilët i ka vizituar dy herë ministri Gjana në fermën e tyre dhe që kanë përfituar edhe ujitjen me pika për pemtoren e tyre, nga subvencionet e ministrisë së bujqësisë. Në panair të tërheq çdo gjë. Është prodhim i pastër, i shijshëm, bio sic thonë. Ministri Gjana viziton çdo tavolinë. Përshëndetët me të gjithë fermerët bashkë me kandidatët për deputetë dhe deputetët aktualë. Para një tryeze me patate, ai duke bashkëbiseduar me fermerët e pranishëm u tha se ne prodhojmë në vend 190 mijë ton patate dhe importojmë 22 mijë ton. Prodhojmë në vend 22 mijë ton fasule dhe importojmë 0.36 mijë ton ose 360 kuintalë fasule. Para një fermeri që kishte tezgën e tij me mollë, ministri Gjana duke iu drejtuar të pranishmëve u shpreh se të gjithë kujtojnë se këto mollë janë të importit. Porn ë fakt janë të Peshkopisë. Ne prodhojmë në vend 134 mijë ton fruta dhe importojmë 79 mijë ton. Ende shumë importojmë dhe ende kemi shumë mundësi të prodhojmë. Por kemi patur problem pamundësinë për ti ruajtur prodhimet tona që të nxirren në treg gjatë gjithë vitit. Sivjet kemi vënë në dispozicion 3.5 milionë dollarë për frigoriferë për ruajtjen e prodhimeve bujqësore, për fabrika e punishte përpunimi të frutaperimeve dhe për baxho. Këto ditë shpallen fituesit e këtij fondi dhe kemi tyreguar kujdes që të shpërndahen në gjithë teritorin e vendit e kryesisht aty ku prodhohet më shumë. Rrush kemi prodhuar 154 mijë ton dhe kemi importuar vetëm 5 mijë ton. Mish kemi prodhuar 75 mijë ton dhe kemi importuar 35 mijë ton. Vezë kemi prodhuar 803 milionë kokrra për vitin 2008 dhe kemi importuar 1 milionë kokrra. Kemi prodhuar në 2008 70 mijë ton lëngje frutash në vend dhe kemi importuar 8.5 mijë ton lëngje. Kemi prodhuar 10.3 mijë ton proshuta e sallame dhe kemi importuar 4.7 mijë ton të tilla. Por njerzit nuk e besojnë se janë prodhime vendi. Nga standarti e cilësia produkti ynë i përpunuar nuk ndryshon nga ato më cilësoret e importit. Para një fermeri që ekspozonte djathë të bagëtive që kullosin në Korab, ministry Gjana tha se në vend prodhojmë 12 mijë ton djath dhe importojmë vetëm 1.3 mijë ton. Kemi të gjitha mundësitë që të prodhojmë për eksport për shkak të cilësisië së produktit tonë. Në kemi matrikulluar gjithë gjedhin vitin që shkoi dhe sivjet kemi fondin nga buxheti i shtetit dhe nis keto ditë matrikullimi i të imtave në gjithë vendin falas si për gjedhin. Ministri Gjana i takoi të 103 fermerët që kishin ekspozuar produkte. Të gjithë fermerët e falenderojnë për kujdesin e mbështetjen. Dhe ai kudo përcjell mesazhin, të mos i lëmë punët përgjysmë, të mos i lëmë projektet përgjysmë.
...