E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani viziton VNV-në e vendosur në shkollën "Hasan Prishtina", në Tiranë

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani vizitoi sot, Vendin e Numërimit të Votave (VNV) të vendosur në palestrën e shkollës "Hasan Prishtina", në Tiranë, ku është vënë në funksionim të plotë sistemi i kamerave për monitorimin e procesit të numërimit të votave. Në një prononcim për mediat, zoti Ristani konfirmoi se "në 66 VNV-të në mbarë vendin ka filluar montimi i teknologjisë për numërimin e votave", një projekt që sipas Kreut të KQZ-së ka kushtuar më pak se 1.5 milionë euro. Një sistem kamerash i instaluar në palestrën e Shkollës "Hasan Prishtina", në kryeqytet, paraqet pamje të qarta nga 5 tavolinat e vendosura në sallë për numërimin e votave. Ndërsa në ekrane të posaçme televizive, vëzhguesit kanë mundësi të ndjekin fletë pas flete mënyrën e votimit. Të gjitha pamjet e përftuara nga kamera qendrore 360 gradë, do të ndiqen online nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe kështu mund të mbahen nën kontroll 66 VNV-të në gjithë Shqipërinë. Sipas Kreut të KQZ-së, Ristani "ky projekt siguron një transparencë maksimale, si dhe bënë të mundur marrjen në kohë të rezultateve nga të 66 Vendet e Numërimit të Votave. Nga ana tjetër, në çdo VNV do të sigurohet një vend i mjaftueshëm për vëzhguesit të cilët do të mund të ndjekin nëpërmjet ekranit, mënyrën se si ëshë votuar. Nga ana tjetër ata do të jenë shumë afër edhe me anëtarët e grupit të numërimit të votave", sqaroi z. Ristani. Kryetari i KQZ-së informoi se "deri tani janë montuar disa Vende të Numërimit të Votave në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd". "Shpresojmë që maksimumi një javë para ditës së zgjedhjeve do të jetë montuar e gjithë teknologjia në gjithë Shqipërinë dhe javën e fundit do të mund ta testojmë atë për të qenë gati ditën e zgjedhjeve", tha zoti Ristani. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›