E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti: Dyfishim i inspektorëve, për të monitoruar tregjet

TIRANË- Bashkia e Tiranës njofton se ka dyfishuar numrin e inspektorëve të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Tatim - Taksave dhe Policisë Bashkiake, në të gjithë tregjet e kryeqytetit, me qëllim parandalimin e abuzimit me çmimet, edhe në këto ditë të fundit, në prag të ndërrimit të viteve.

Zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti, së bashku me Drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe drejtues të Policisë Bashkiake ishin sot në tregun pranë lulishtes “1 Maji”.

“Në mënyrë të përditshme, ne jemi në tregje për të monitoruar sigurinë dhe cilësinë e mallit. Sot, numri i inspektorëve është dyfishuar në të gjithë tregjet e Tiranës, në tregjet me shumicë, në tregjet e poakicës. Numri i inspektorëve të sigurisë dhe cilësisë së ushqimit, numri i inspektorëve tatimorë, numri i inspektorëve të Policisë Bashkiake është dyfishuar në të gjithë tregjet e Tiranës, për të monitoruar çmimet, për të penguar shtigjet për abuzimet me çmimet dhe vëmë re se që nga momenti që ne kemi filluar monitorimin e çmimeve në tregje, deri në ditën e sotme që unë ndodhem para jush, ne kemi stabilitet të çmimeve në tregjet e Tiranës”- theksoi Panariti.

Panariti bëri me dije, se edhe gjatë ditës së sotme, është vënë re stabilitet i çmimeve në tregjet e Tiranës. Zv/Kryetari i Bashkisë shprehu vendosmërinë, për të vijuar me monitorimin e tregjeve deri më 31 dhjetor.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›