Panariti: Greqia nuk na kushtëzon me marrëveshjen e ujërave për gazsjellësin TAP. Së shpejti përfundojnë negociatat
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, në prag të vizitës në Greqi, ka mohuar faktin se Greqia do të kushtëzojë gazsjellësin transadriatik TAP me marrëveshjen e ujërave.
Jam i njohur me interpretimin që i kanë bërë mediat projektit TAP. Dua të them që nuk ka varësi mes këtij projekti dhe marrëveshjes së ujërave. Progresi i njërës nuk do kushtëzohet nga regresi i tjetrës prej palës greke, tha Panariti.
Ai deklaroi se po negociohet me Greqinë për marrëveshjen e ujërave.
Grupet e punës janë duke punuar. Në momentin që unë do të kem rezultatet e grupeve të punës, do të mblidhemi së bashku dhe do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshëm, shprehet Panariti.
Mbi çbaza po punohet?
Mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe të legjislacionit ndërkombëtar.
Kjo ndryshon nga negocimi që është bërë më herët?
Ju e dini që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila anulon praktikën e mëparshme dhe mbi këtë bazë po punohet për ta riparë gjithë procesin.
Mund të na thoni ndonjë detaj më shumë?
Nuk mundem sepse do të ishte e parakohshme dhe spekulative që unë të bëja publike rezultate që janë ende në përpunim.
Kur mund të përfundojnë negociatat?
Së shpejti, së shpejti.
A ka presion nga pala greke që pala shqiptare të pranojë kërkesat e saj për çështjet e marrëveshjes së ujërave?
Nuk ka asnjë lloj presioni.
