E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi TAP, Panariti: Greqia s’na vë kusht detin

Ai tha se marrëveshja me Greqinë për ujërat detare po rinegociohet, por hodhi poshtë atë çka është publikuar në media se Athina zyrtare kishte vënë kusht detin shqiptar për të bërë Shqipërinë pjesë të projektit të gazsjellësit.

Ai tha se marrëveshja e ujërave është kategorikisht e ndarë nga gazsjellësi TAP dhe do të adresohet në momentin e duhur, ku si pikë referimi do të jetë padyshim vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Janë krijuar grupe pune në ministrinë e Punëve të Jashtme  që po punojnë intensivisht për të dalë në opsionet përkatëse, që do të jenë edhe baza e negocimit të këtij problemi me qeverinë greke. Ne jemi në fazën e diskutimeve teknike  për marrëveshjen e ujërave. Pika jonë e referimit për adresimin e kësaj çështje do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe në raport me të, do të ketë edhe avancim të këtij procesi. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili anulon vendimin e mëparshëm dhe mbi këtë bazë po procedohet për të riparë të gjithë procesin. Grupet e punës po punojnë mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe legjislacionit ndërkombëtar", tha Panariti në një konferencë për shtyp.

Por, për ministrin e Jashtëm shqiptar, mbështetja e Greqisë është thelbësore për projektin TAP, që sjell gazin natyror nga Kaspiku në drejtim të Italisë. “Shqipëria, Italia dhe Greqia duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ku të tregojnë qartazi mbështetjen politike ndaj projektit të gazsjellësit Trans- Adriatik, pasi kjo do të rrisë mundësitë që ky projekt të miratohet", deklaroi Panariti.

Ai shtoi se pa mbështetjen që Italia dhe Greqia i jep këtij projekti, “shanset që ky projekt të miratohet nga konsorciumi i Shah Denizit në fund të këtij viti, nuk do të jenë aq të mëdha". "Por në momentin që ne do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje, dhe kjo është e vendosur dhe do të bëhet së shpejti, shanset që ky projekt të miratohet do të jenë shumë të mëdha në raport me projektin tjetër konkurrues. Nga ana tjetër është e domosdoshme arritja e një marrëveshje të tillë edhe në kuadrin e një mekanizmi rregullator për çështje të mbrojtjes së mjedisit, karakterit legjislativ që lidhet me kalimin e tubacionit në të tre vendet respektive", tha Panariti, duke shtuar se bisedimet mes tre vendeve janë në rrugë të mbarë.

Për sa i përket vizitës në Athinë, Panariti tha se ajo është në vazhdën e vizitave në vendet e rajonit, por në këtë rast, ekziston edhe një çështje nevralgjike midis dy vendeve, siç është hapësira detare. "Kjo është në vazhdën e vizitave të mia në rajon, që filloi me vizitën në Itali dhe që është e natyrshme të vijohet me vizitën në Greqi, ashtu sikurse kam zhvilluar vizitën në Kosovë dhe siç kam ndërmend të bëjë vizita edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni. Këto vizita i shërbejnë rolit aktiv që Shqipëria ka në promovimin e bashkëpunimit rajonal, si një ndër asetet tona më të vyera në rrugën e integrimit evropian", tha Panariti. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-08-14 15:11
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›