Uniformat, thellohet skandali i Arben Imamit
Thellohet skandali i Ministrisë së Mbrojtjes për tenderin e uniformave të ushtrisë. Vizion Plus ka zbuluar një tjetër abuzim që mban firmën e ministrit Imami, që tenton të përjashtojë nga tenderi firmat shqiptare.
Tek dokumenti i tenderit të shtyrë për 2 here me radhë deri tani, në faqen 30, janë shtuar disa kritereve te veçanta të kualifikimit për firmat konkurruese. Por 2 ndër to janë vendosur qëllimisht çkualifikuese. Tek kapaciteti teknik dhe profesional kërkohet që firma të ketë përvojë në furnizime të ngjashme, pra të ketë prodhuar uniforma për vendet e NATO-s, të paktën në një vlerë 573.5 milion lekë në 3 vitet e fundit të aktivitetit.
Por ky kriter është haptazi përjashtues për firmat shqiptare, të cilat e kanë pasur të pamundur të prodhonin uniforma për një vend anëtar të NATO, e aq me pak për Shqipërinë, e cila në 3 vitet e fundit edhe pse është anëtare e Aleancës, nuk ka pasur uniforme të re.
Ndër kriteret e veçanta të kualifikimit për firmat që hyjnë në tender, është shtuar edhe xhiro mesatare vjetore. Ajo nuk duhet të jetë më pak se 300 milion lekë në bilancet e 2009, 2010 dhe 2011. Por duke mbledhur shumën e xhiros ekonomike për 3 vjet dhe kushtin që të ketë furnizuar me uniforma një vend të NATO, atëherë firma duhet të ketë një bilanc prej 39 milion lekësh më tepër se shuma e tenderit 7-vjeçar prej 1.4 miliard lekësh që ka shpallur Ministria e Mbrojtjes.
Këto kritere, që janë tepër preferenciale, bien ndesh me ligjin për Prokurimin Publik, që mban datën 20 nëntor 2006, miratuar nga mazhoranca aktuale. Në nenin 20 të këtij ligji, me titull Mosdiskriminimi, thuhet se: autoritetet kontraktore duhet të shmangin çdo kriter, kërkesë apo procedurë që lidhet me kualifikimin e operatoreve ekonomikë, që përbën diskriminim ndaj ose midis furnizuesve, apo kontraktorëve, ose ndaj kategorive të tyre.
Duke tejkaluar ligjin për të favorizuar firmën preferenciale, ministri Imami vendosi kritere përjashtuese për gjithë firmat shqiptare.
Madje, me kushtet e caktuara nga ministri i Mbrojtjes, firmat shqiptare asnjëherë nuk do të arrijnë të furnizojnë ushtrinë tone me uniforma. Ndërkohë që Shqipëria ka një industri të zhvilluar konfeksionesh, që qep veshje cilësore të markave të njohura.
