Panariti: Imuniteti, jo kusht për statusin
Ministri i Jashtëm jep shpresë pas takimeve me krerët e BE-së në Bruksel
Një ditë pas kthimit nga Brukseli, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi se heqja ose jo e imunitetit nuk është një çështje nga e cila varet marrja e statusit kandidat nga Shqipëria. Duke artikuluar një qëndrim të ndryshëm nga ai i mazhorancës qeverisëse për sa i përket rëndësisë që ka çështja e imunitetit në këtë proces, Panariti theksoi se pas takimeve që kishte zhvilluar me drejtuesit e lartë të Komisionit Europian, kishte vërejtur që Shqipëria kishte shanse të mira për ta përfituar këtë status në muajin tetor. Pavarësisht kësaj, ai deklaroi se ende ka punë për të bërë në arritjen e konsensusit mes PD-së dhe PS-së në kuadër të miratimit të ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ndërkaq raporteri i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, eurodeputeti Nicholaos Chountis, nisi dje në Tiranë një vizitë zyrtare dyditore, për të monitoruar nga afër progresin e Shqipërisë për sa i përket plotësimit të 12 prioriteteve. Ai zhvilloi dje një takim me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli, ku theksoi faktin se Shqipëria jo vetëm duhet të hiqte imunitetin, por duhet të vijonte dhe reformat për marrjen këtë vit të statusit.
Panariti
Në një kohë kur i gjithë debati që lidhej me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë reduktohej te çështja e imunitetit, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, e hodhi poshtë këtë tezë. Sipas tij, procesi i integrimit nuk mund të reduktohet vetëm tek çështja e imunitetit. Çështja e imunitetit nuk është pjesë e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian, por është një sfidë që Shqipëria, politika shqiptare i vuri vetes. Kjo nuk është një çështje që mban peng apo çliron statusin e vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat është një çështje shumë më komplekse, që ka të bëjë me avancimin në mënyrë të njëkohshme të reformave dhe të 12 prioriteteve të përcaktuara në marrëveshjen me Komisionin Europian, kështu që një çështje e vetme nuk mund të mbajë peng një proces të tërë, deklaroi Panariti përpara mediave.
Chountis
Raporteri i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, eurodeputeti Nicholaos Chountis nisi dje vizitën e tij në Tiranë, me misionin për të parë nga afër progresin dhe po kështu me mesazhin se ka ende punë për të bërë në kuadër të marrjes së statusit. Në një takim me Kryeparlamentaren Topalli, Chountis kërkoi heqjen e imunitetit, si dhe vijimin me marrëveshjes së nëntorit mes forcave politike, si një garanci për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Sot ai pritet të zhvillojë takime me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama.
F.Mejdini
Panariti: Imuniteti, jo kusht për statusin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip