E Diel, 1 Nëntor 2026

Wollfarth: Bashkëpunim për respektimin e të drejtave të njeriut

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth i ka bërë apel politikës shqiptare të bashkëpunojë për respektimin e të drejtave të njeriut pasi sipas tij ato i kalojnë interesat partiake.
 

Duke folur në seminarin Ndërkombëtar: "Promovimi i të Drejtave të Njeriut dhe Rritja e Ndërgjegjësimit ndërmjet Autoriteteve Lokale dhe Rajonale", Wollfarth gjithashtu kërkoi edhe bashkëpunimin mes qeverisë qëndrore dhe vendore për hartimin e politikave për të drejtat e njeriut të cilat janë një e drejtë themelore për çdo qytetar të një shteti të lirë dhe demokratik.
 

"Respektimi i të drejtave të njeriut fillon në nivelin vendor dhe jo në atë qëndor. Është me rëndësi që ofrimi i shërbimet të tilla duhet të bëhet nga vendorët. Është e nevojshme që të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm mes pushtetit vendor dhe qëndror, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile. Për të përgatitur politikat duhet të konsultohen mirë me publikun. Qeveria duhet të akordojë fonde të mjaftueshme që të ofrohen shërbime vendore të efektshme. Partitë duhet të punojnë së bashku pasi të drjejtat e njeriut janë të drejta themelore dhe ato i kalojnë interesat partiake” tha Wollfarth.


Gjithashtu ambasadori Wollfarth theksoi se Shqipëria ka bërë përparim gjatë këtyre viteve për respektimin e të drejtave të njeriut. “Shqipëria ka bërë një përparim të madh në të drejtat e njeriut dhe kjo është e mëshiruar në kushtetutën e vendit dhe e trajtuar më më hollësi në disa ligje të tjera. Institucione si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për të drejtat e njeriut” shtoi ambasadori.

Ambasadori u ndal në dhunën në familje dhe punën e madhe që duhet të bëhet për luftën ndaj saj. “Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe përfshin gjithë shoqërinë. Dhuna kundër grave është pengesë, i privon viktimat nga aftësia për të gëzuar liritë themelore, dëmton shoqërinë në tërësi, ndaj qeveria vendore duhet të marrë të gjitha masat e mundshme për të promovuar mbrojtjen e grave dhe për të zhvilluar fushata ndërgjegjësimi që përfshijnë të gjithë shqiptarët” tha Wollfarth.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›