E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti: Qeveria e re të vazhdojë rrugën e nisur në politikën e jashtme

TIRANË - Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti i ftuar në emisionin ‘Natë me Xhaxhiun’ ka folur mbi arritjet dhe dështimet e diplomacisë shqiptare nën drejtimin e tij, gjithashtu edhe sa i përket politikës së jashtme nën drejtimin e qeverisë së re.

Mbi arritjen e miratimit të tre ligjeve nga parlamenti para zgjedhjeve Panariti u shpreh se kjo ishte një arritje e madhe për vendin tonë, falë ndërhyrjes së LSI, e cila i bëri apel dy partive të mëdha.

‘Miratimi i tre ligjeve para zgjedhjeve na mundëson marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor, duke i kursyer vendit një vit ngërç, kjo ishte një arritje e madhe fal ndërhyrjes së LSI, duke i bërë apel dy partive të mëdha për miratim e ligjeve në atë periudhë kohore’.

Sa i përket politikave të jashtme sipas Panaritit qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën pozitive të nisur nga paraardhësit e tyre dhe se diplomacia e jashtme do të jetë pjesë e 300 ditëve të para të qeverisjes.

‘Politika jonë e jashtme mbështetet në disa principe siç është mbrojtja e interesave kombëtare, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe integrimi i vendit, qeveria e deritanishme në këto drejtime e ka bërë mirë punën e saj dhe pasardhësit duhet ta vazhdojnë rrugën e nisur. Sukseset e qeverisë Berisha në politikën e jashtme janë suksese të LSI, e cila ka dhënë një kontribut të madh në liberalizimin e vizave, ndërsa dështim i kësaj qeverie ishte mos marrja e statusit të vendit kandidat, kjo për arsye të mungesës së vullnetit politik. Forca si ‘Agimi i Artë’ tentuan të helmonin marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, u detyrova të shpall 'non-grata' persona që kishin këto synime. Edhe tek ne pati nacionalizëm të theksuar, por jo ajo deklaratë e kryeministrit Berisha në 28 Nëntor për bashkim të shqiptarëve, e cila u interpretua gabim, kryeministri e kishte fjalën për bashkim shpirtëror mes shqiptarëve. E kemi thënë troç Shqipëria nuk ka pasur e nuk do të ketë synime territoriale’, u shpreh ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti.
(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›