E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi nuk përkrah formimin e “Kuvendit të Krahinës Autonome” në veri

Qendrat e partive kryesore që mbajnë pushtetin në Beograd janë distancuar nga formimi i “Kuvendit të Përkohshëm të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, që është thirrur për të enjten në Zveçan.

Ideja për parlamentin që do ta përbënin kuvendarët e katër komunave nga veriu i Kosovës, i cili do të jetë i hapur edhe për serbët nga jugu, erdhi si pasojë e revoltës ndaj Marrëveshjes së Brukselit dhe në këtë parlament do të duhej të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha partive politike.

Sipas gazetës serbe "Novosti", ata në parim janë marrë vesh se cilat funksione do t’u takojnë cilave parti, kështu që posti i kryetarit të Kuvendit i ka takuar partisë së Ivica Dacicit (SPS) dhe në këtë funksion është parë Slavko Stevanovic nga Leposaviqi.

Mirëpo zëvendësi i kryetarit të SPS, Zarko Obradovic, thotë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në formimin e “Kuvendit të KiM”

“Në qoftë se këtë e bën dikush në emrin tonë, SPS këtë nuk do ta pranojë. Ne kemi prezantuar qëndrimi n se askush në emër të SPS nuk mund të marrë pjesë në Kuvend”, ka thënë Obradovic.

Edhe nënkryetari i partisë së Tomislav Nikolicit (SNS), Bratislav Gasis ka thënë se ajo që nuk është në harmoni me poltikën e Qeverisë nuk mund ta përkrah as SNS:

“Lidur me formimin e Kuvendit nuk ka pasur konsultime me qendrën e partisë. Ky është një akt i njerëzve interesat e të cilëve janë rrezikua”, ka thënë ai, duke potencuar se Asociacioni i komunave serbe do t’u mundësojë serbëve jetë më të mirë dhe kjo është e vetmja rrugë që duhet ndjekur, transmeton Telegrafi.
(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›