E Diel, 1 Nëntor 2026

“Politika të votojë tre ligjet, të bëjë zgjedhje të ndershme”

17-01-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritje për trupin diplomatik në vendin tonë

“Mbështetje klasës politike në vend me qëllim përmbushjen e kritereve evropiane, por edhe zhvillimin e zgjedhjeve të pakontestueshme dhe demokratike”.
Ka qenë ky angazhimi i kreut të shtetit, Bujar Nishani drejtuar përfaqësisë diplomatike në vendin tonë në pritjen e zhvilluar dje në në ambientet e Presidencës, me rastin e Vitit të Ri 2013.
“Shqipëria e konsideron procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si një proces të bazuar tërësisht në rezultate dhe merita, i cili nëpërmjet realizimit të plotë të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Klasa politike shqiptare duhet të dëshmojë se perspektiva evropiane për ne është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për të konfirmuar përgjegjshmërinë dhe për të siguruar marrjen përsipër të përgjegjësive. Për këtë, si President i Republikës, kërkoj dhe do të mirëpres angazhimin e plotë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë për të arritur rezultate konkrete bashkëpunimi, që nga përmbushja e kërkesave të Komisionit Evropian për votimin e tre akteve në Parlament si dhe realizimin sipas standardeve evropiane të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme të 23 qershorit 2013”, u shpreh Nishani.
Gjatë fjalës së tij të gjatë kreu i shtetit përmendi edhe arritjet e Shqipërisë në këtë 100 vjetor dhe kremtimin e tij e cilësoi me hijeshi e dinjitet, që e gjen vend tonë më të suksesshëm. Gjithashtu Nishani në fjalën e tij vlerësoi ruajtjen e fqinjësisë së mirë dhe shprehu mbështetjen e integritetit territorial të Kosovës.
“Fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh, por me ta mund të bashkëjetohet në harmoni e bashkëpunim, nëse vërtet besohet tek vlerat evropiane e të demokracisë. Shqipëria gjithnjë ka nxitur dhe ushqyer fqinjësinë e mirë, ndërsa faktori shqiptar në rajonin e Ballkanit është certifikuar tashmë si një kontribuues real i paqes dhe qëndrueshmërisë. Sot në Ballkanin Perëndimor, pas periudhave të vështira të diktaturës, shovinizmit, të luftës dhe spastrimit etnik, ne jemi duke bashkëjetuar nën frymën e fqinjësisë së mirë. Në qiejt tanë të kthjellët tashmë nuk ka vend për skifterë dhe korba lufte. Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht, duke nënvizuar faktin se tashmë Kosova e pavarur prodhon vetëm paqe dhe qëndrueshmëri në Ballkan. Ne përshëndesim dhe vlerësojmë nisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike e praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, deklaroi më tej kreu i shtetit, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›