E Diel, 1 Nëntor 2026

Panele diellore në çerdhet e kryeqytetit

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ambasadën Holandeze dhe qendrën mjedisore "Eden", si dhe Qendrën Rajonale të Mjedisit nisën zbatimin e projektit "Energjia Diellore, alternativë dhe promjedisore", duke vendosur panele diellore në çerdhet nr 1 dhe 8 në Tiranë. Vendosja e sistemit ngrohës me 66 panele diellorë përmirëson ndjeshëm jetesën e 272 fëmijëve dhe 40 edukatorëve përmes ngrohjes së ujit sanitar, kursimit të energjisë elektrike dhe lëndës djegëse, si dhe uljen e ndotjes të shkaktuar nga ngrohja me naftë. Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama dhe ambasadori holandez Henk Van Der Dol vlerësuan rezultatet e investimeve në mjedisin e kryeqytetit në përpjekje për t'i rikthyer Tiranës frymëmarrjen që meriton dhe vlerat evropiane.

Ambasadori holandez nuk mungoi as në vlerësimin e kombëtares së tij Holandës në ndeshjen me Uruguajin si një favorite e dënjë për Botërin Afrikë 2010.
Promovimi i Energjisë Diellore dhe vëmendja ndaj fëmijëve parashkollorë ishin dy motivet e kësaj ngjarjeje në sferën sociale të drejtuar nga kryebashkiaku Rama dhe ambasadori holandez Van Der Dol. Në Shqipëri përdorimi i kësaj alternative është ende në hapat e para dhe kryesisht e përdorur në sektorin privat ndërsa kjo iniciativë synon kthimin e institucioneve publike në promotore të politikave të gjelbërta më miqësore me hapësirën urbane.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›